“Kosova është një shtet i dashur për ne dhe për mua, pa qëllimin që ta sfidoj dikë, sepse unë nuk jam këtu që ta sfidoj Beogradin ose dikë të tretë. Por, Kosova është shtet i parashikueshëm, ku funksionon një demokraci mjaft vibrante dhe e gjallë”.


Me këto fjalë e nisi presidenti kroat Zoran Millanoviç konferencën e përbashkët për shtyp në Prishtinë me homologen Vjosa Osmani.

Nëse “Ballkani i Hapur” nuk përfshin dhe Kosovën si të barabartë, atëherë “do të jetë pa lidhje”, ishte komenti i tij.

“Nëse iniciativa ka qëllime të mira, atëherë duhet ta marrim ndoshta parasysh, por me kushtin që aty, të gjitha shtetet të trajtohen njësoj. Nëse kjo iniciativë nuk e mbulon Kosovën në mënyrë të barabartë, atëherë nuk bën sens”, tha Zoran Milanoviç, president i Kroacisë.

Në kontekstin e nismës së “Ballkanit të Hapur”, Osmani theksoi se Kosova këmbëngul që bashkëpunimi rajonal të vazhdojë në kornizën e Procesit të Berlinit, nismë kjo e cila, siç ka thënë ajo, ka për qëllim që t’i shtyjë shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian.

“Prandaj Kosova e ka bërë të qartë që alternativa e vetme për të ecur drejt strukturave euro-atlantike, është të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, ku që nga fillimi vlente parimi i barazisë dhe parimi i gjithëpërfshirjes”, theksoi presidentja, sipas të cilës në momentin që Serbia heq dorë nga tendencat destabilizuese ndaj rajonit dhe e njeh Kosovën si realitet të pakthyeshëm, atëherë dikush mund ta marrë seriozisht deklaratën e Aleksandar Vuçiç se i intereson bashkëpunimi rajonal.