Përsëritet konkursi për pranimin e studentëve në konviktet shtetërore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpalli konkurs të ri për pranimin e studentëve të regjistruar në studimet universitare në konviktet shtetërore dhe objektet tjera akomoduese në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin akademik 2021/2022.


Konkursi është për gjithsej 1.205 vende në nëntë konvikte në Shkup, Manastir, Ohër, Shtip, Prilep dhe Tetovë. Studentët mund të aplikojnë për pranim vetëm në një konvikt. Afati i aplikimit fillon sot dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor të vitit 2021.

Studentët të cilët i plotësojnë kushtet e konkursit duhet të plotësojnë aplikacionin elektronik dhe të bashkëngjitin dokumentacionin përkatës në http://e-uslugi.mon.gov.mk. Nëse nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike, plotësojnë aplikimin në letër (listë evidentuese) dhe dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas konkursit në konvikt.

“Nëse pas shpalljes së listave përfundimtare të studentëve të pranuar në konvikte, ambientet akomoduese në një konvikt të caktuar mbeten të paplotësuara, aplikimi do të vazhdojë deri në plotësimin e tyre, por jo më vonë se data 31 janar të vitit 2022”, thekson MASH në konkursin e shpallur, i cili përmban informacion se si të aplikoni dhe për dokumentet e nevojshme.