“Është imperativ i kësaj qeverie që temën e të pagjeturve ta vendosë në top prioritetet e temave në dialog, pasi është kruciale dhe e domosdoshme të zbardhet fati i të pagjeturve”, thotë Ahmeti.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa e zbardhur çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.


Kryeministri që nga zgjedhja e tij, ka thënë se e kanë bërë të qartë se çështja e të pagjeturve është prioritet.

“Unë besoj që e keni përcjellë edhe ju se personalisht kam qenë i zëshëm dhe në secilin takim me akterë relevantë ndërkombëtar, e kam përmendur çështjen e personave të zhdukur me dhunë, si çështje edhe me prioritet, edhe urgjencë. Po e ri-them që marrëveshja me Serbinë nuk ka, pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë”, tha Kurti.

Ndërsa, përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini kishte deklaruar se Qeveria nuk e ka një plan-program për të punuar për çështjen e të pagjeturve.

Qerkini tha se kjo Qeveri para se të vijë në pushtet ka premtuar shumë, por ka bërë pak punë, ndërkohë kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka reaguar, duke thënë se Serbia po vazhdon ta përdorë këtë çështje për motive politike.

“Mirëpo, padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, plaga jonë e pashëruar për gati 22 vjet nga lufta, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie dhe asnjë qeverie të vendit tonë. Baci Bajram e din mirë këtë, sidomos duke pasur parasysh se ai e drejton Qendrën Burimore Multietnike në Mitrovicë. Me gjithë përpjekjet e institucioneve tona dhe organizatave e partnerëve ndërkombëtarë, Serbia vazhdon ta keqpërdorë këtë çështje për motive politike”, shton ai.

Tutje Hoti thotë se përkundër që nuk ka pasur dialog muajt e fundit mes liderëve të shtetit, anëtarët e grupeve punuese nuk janë ndalur asnjëherë dhe vetëm gjatë muajve shtator-tetor i kanë mbajtur 6 takime.

Lidhur me këtë debat, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Të jetë temë në çdo tryezë”

Analisti politik, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se është dashur që çështja e të pagjeturve të jetë tema e parë e diskutimit, madje derisa të ketë një epilog, duke e pasur parasysh që shumë prindër nuk dine asgjë për eshtrat e fëmijëve të tyre.

“Çështja e të pagjeturve është një temë, e cila s’po na lenë plagët tona të mbyllen, plagë nga të cilat akoma burojnë dhimbje, për familjarët tanë të humbur e që ende për fatin e tyre nuk dimë asgjë. Çështja e të pagjeturve është dashur të jetë në tryezë, tema e parë për t’u diskutuar dhe të mos diskutohet asgjë tjetër pa i dhënë epilog kësaj çështjeje, duke e ditur se shumë prindër kanë shkuar në botën tjetër me mall të fëmijëve të tyre, pa ditur asgjë për ta apo pa i gjetur eshtrat e tyre, fatkeqësisht na ka ikur hapi ndoshta nga mosdija dhe kemi lëvizur me hapa të shpejtë pa i kuptuar gabimet tona”, thotë ai.

Tutje ka potencuar se edhe pse qeveria i ka bërë disa hapa drejt kësaj çështjeje, prapë po kalon në heshtje.

Sipas Krasniqit, kjo temë duhet të diskutohet në çdo tryezë ndërkombëtare, sepse vetëm kështu mund ta kuptoj bota se kush është Serbia.

“Edhe Qeveria Kurti po e kalon këtë temë në heshtje pavarësisht se ka bërë disa hapa në këtë drejtim, por kjo çështje ka mbetur në rend të dytë, pak si pasojë ndoshta e pandemisë dhe problemeve tjera që po na rëndojnë në këtë kohë. Qeveria duhet këtë temë ta hapë në çdo tryezë ndërkombëtare, e që edhe bota ta ketë të qartë se kush ishte dhe është Serbia, sepse e njëjta ka mbet ende duke mos mundur ta çlirojë veten nga e kaluara duke qenë destabilizuese në Ballkan”, theksoi Krasniqi.

“Të jetë prioritet në dialog”

Analisti Hidajet Ahmeti, ka thënë se kjo temë duhet të vendoset në top prioritetet e temave në dialog nga qeveria, sepse është çështje, e cila prek shumë familje.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë më këmbëngulëse mbi çështjen e të pagjeturve, pasi është një çështje e ndjeshme dhe prekë shumë familje, të cilat akoma nuk dinë për të afërmit e tyre. Është imperativ i kësaj qeverie që temën e të pagjeturve ta vendosë në top prioritetet e temave në dialog, pasi është kruciale dhe e domosdoshme të zbardhet fati i të pagjeturve”, thotë Ahmeti.

Lidhur me këtë, juristi Blerim Burjani, ka theksuar se thuaja asgjë më shumë nuk mund të bëhet as nga kjo qeveri, dhe 22 vite pas, është mirë që së paku të bëhet një lapidar i përbashkët me emrat e të zhdukurve, ndërsa puna e qeverisë për gjetjen e tyre të vazhdojë.

“Nuk mund të bëhet më shumë, është bërë mjaft nga të gjitha qeveritë edhe nga kjo, fatkeqësisht qe 22 vjet nuk është arrit të zbulohet e vërteta e tyre, ku janë? Pra, kjo çështje është e dhimbshme, dhe fatkeqësisht që mbetet në kujtimet e familjarëve dhe shtetit të Kosovës, këta njerëz të zhdukur, meritojnë një lapidar të madhë me emrat e tyre, në shenjë të dashurisë familjare ndaj tyre, ndërsa shteti të vazhdoj rrugën politike në zbardhjen e rasteve”, thotë Burjani.