Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, të enjten, ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet me ish-liderin historik të kësaj partie, Sali Berisha, duke votuar unanimisht propozimet e Lulzim Bashës si për drejtuesit e tij të rinj, por edhe për anëtarët e kryesisë, pasi ata që ishin më parë përkrahën Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit.


Arta Sakja është emri që do të zëvendësojë Edi Palokën në krye të Këshillit Kombëtar të PD-së.

Ndërsa si sekretar organizativ u miratua Flamur Hoxha dhe sekretar për çështjet zgjedhore do të jetë Indrit Sefa. Po ashtu si anëtarë të kryesisë janë miratuar: Helidon Bushati, Gazmend Koduzi, Xhemal Gjunkshi, Agron Kapllanaj dhe Xhelal Mziu.

Vendimet:

Kryetar i këshillit kombëtar, Arta Skaja;

Sekretar organizativ, Flamur Hoxha;

Sekretar ligjor dhe zgjedhor, Indrit Sefa;

Sekretar pushtet vendor, Roland Bejko;

Sekretar për emigracionin dhe diasporën Kreshnik Çollaku;

Në kryesi, sipas listës, Agron Kapllanaj, Gazmend Koduzi, Xhemal Gjunkshi, Helidon Bushati.

Ndërkohë, burime për Top Channel raportojnë se Basha u ka kërkuar të gjithë anëtarëve të këshillit që të jenë në terren me demokratët nga nesër, duke nisur dhe nga ai vetë.

“E shkuara do të mbetet e shkuar. E ardhmja kërkon sfida, prandaj nga nesër të gjithë, duke filluar nga unë, do duhet të jemi në terren. Të punojmë me gjithë ata burra që ishin me ne, por edhe me ata që sot nuk na besojnë por u përdoren për mish për top.
Ata janë njerëz që kanë sakrifikuar, janë të zhgënjyer me ne. Por ne duhet të punojmë me ta, t’i bindim ata e të bëhemi bashkë”, ka thënë Basha.

Para disa ditësh, anëtarët e Këshillit Kombëtar votuan pro shkarkimit të disa sekretarëve, Ervin Minarollit, Ivi Kasos, Belind Këlliçit dhe Ledina Mandia.

Ndërkohë, prej disa muajsh situata në PD ka qenë e trazuar për shkak të konfliktit mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.