Nëse Qeveria sheh dallim drastik në raport me çmimet momentale dhe çmimet e nëntorit, do të zgjerohet lista e produkteve, ku do t’u ndërrohen apo ngrihen çmimet me shumicë dhe pakicë. Në plan të parë shqyrtohen çmimet e orizit dhe vezëve. Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se do të krahasohen të dhënat e publikuara nga Enti shtetëror statistikor kurse vendimi do të jetë nesër në seancë qeveritare.

“Është shumë e rëndësishme të theksohet fakti se vendimet nuk vlejnë për çmimet e sotme, por vlejnë për çmimet që janë formuar nga tregtarët nga 1 dhjetori. Çmimet nga 1 dhjetori do të vlejnë deri më 31 janar”- deklaroi Kreshnik Bekteshi- ministër i ekonomisë

Për cilindo produkt që të vlejë vendimi i qeverisë, sipas rregullave, çmimi i atij produkti nuk duhet të rritet në 60 ditët e ardhshme. Për momentin, në nivelin e 1 dhjetorit, autoritetet kanë vendosur t’i ngrijnë çmimet e bukës, sheqerit, miellit, vajit, qumështit, mishit dhe ushqimeve të mishit, si dhe çmimet e djathit dhe gjizës. Komuniteti i biznesit para se të publikohet kjo masë theksonte se ngrirja e një pjese të çmimeve mund të reflektohet negativisht në ekonomi, ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë që një pjesë e produkteve derisa vlen kjo masë të zhduken nga vitrinat e shitoreve sepse përfitimi prej tyre do jetë shumë i vogël.

– bukë;

– Sheqer;

– Miell – tip 400;

– Vaj luledielli;

– Qumësht i pasterizuar me yndyrë 2,8%, 3,2% dhe 3,5%;

– Mish i freskët dhe prodhime të mishit;

– Djathë dhe gjizë.