NGA MERXHAN JAKUPI
“Lamtumirë muzikë dhe meloditë e ëmbla të rinisë sime. Talebanët, në luginën tonë, na ndaluan të bukurën, artin dhe buzëqeshjet tona”


Nga ditari: “Unë jam Malala”

Heroina dhe luftëtarja, Malala Jusafzai, që simbolizoi kauzën më dinjitoze dhe fisnike për arsimimin e vajzave myslimane në botë, në nëntor të vitit 2012, në lulen e rinisë, kur i mbushi 15 vjet, talebanët e qëlluan në kokë. Kur minibusi arriti para korridorit të shkollës, Malala me gjithë shoqet e shkollës hynë brenda. Ishin 20 vajza dhe tre mësuese. Malala ishte ulur në sediljen e fundit, mes dy shoqeve të saj. Nga xhamat e minibusit ajo vështronte malet e Hindukusit, të mbuluara me dëborë. Pasi kishin kaluar ca kilometra, në mes të rrugës, një burrë që dukej si student, bëri me shenjë dhe ndaloi furgonin.
Shoferi u tha vajzave të mos kenë frikë, se talebanët nuk mund të vrasin nxënës dhe fëmijë. Njëri, me armë, hapi derën e pasme dhe pyeti, kush është Malala Jusafzai? Askush nuk u përgjigj! Ai disa herë përsëriti dhe në fund nxori pistoletën. Disa nga vajzat filluan të klithin dhe të qajnë. Në fund, me pistoletë në kokë iu drejtua shoferit, duke e pyetur, “Trego, kush është Malala ose do ta hedhim në erë furgonin?”
Në ato çaste nga pas u dëgjua një zë i hollë dhe i ëmbël.
–Unë jam Malala!
Vrasësi shtiu me tre plumba në drejtim të vajzës. Një plumb e goditi në kokë Malalën dhe tjetri shoqen e saj në kraharor. Malala ra në prehrin e shoqes, me sytë mbyllur dhe flokë të shpërndara me gjak. Malala e plagosur rëndë, në fund mbijetoi dhe u bë simbol dhe ikonë e paqes në gjithë rruzullin tokësor, po dhe fituesja më e re e Çmimit Nobel për paqe. Pas rehabilitimit, në një intervistë për gazetën “Uashington Post”, ajo rrëfente: Në epokën e artë të kalifateve Abazitë, një vajzë shumë e re recitonte poezi. Kalifi kishte dëgjuar dhe e kishte sjellë në pallat. Kur ajo hoqi burkën, të magjepste me fytyrën e bukur. Kalifi u ishte drejtuar: Një ndër parimet e islamit është se femrat duhet të arsimohen, emancipohen dhe moralizohen. Kalifi kishte thënë se në Kuran përmendet 36 herë kalemi. Ti duhet të shkosh në medrese dhe ta heqësh burkën. Islami nuk e urren të bukurën, artin, shkencën dhe dijen, kishte thënë Kalifi, Abazit. Malala i kishte thënë gazetarit se sipas tezës dhe parimeve islame, çdo mysliman dhe myslimane duhet të kalojë nëpër tre hallka: Edukimi, Arsimimi dhe Ligji i etikës islame (moralizimi). Me fjalë të tjera: Prindërit të edukojnë fëmijët; Mësuesit të arsimojnë nxënësit; Klerikët si predikues të moralizojnë.
Malala rrjedh nga një familje e arsimuar, e respektuar dhe e kultivuar, me vlera islame. Ajo respekton gjithë religjionet, duke aluduar se gjithë religjionet kanë të njëjtat vlera universale dhe dashuri të njëjtë ndaj Zotit. Malala u bë figurë simboli për brezat e rinj, duke luftuar për arsimin, edukimin dhe emancipimin e femrave në gjithë botën. Kauza e saj ishte për të luftuar dhe sfiduar ekstremistët e çmendur dhe klerikët fanatikë e konservatorë. Mesazhi i saj, ëndrra dhe zëri i saj i fuqishëm ishte për të dalë nga robëria e errësira, për të luftuar analfabetizmin. Malala theu gjithë tabutë e botës feministe myslimane.
Me dinjitet e sinqeritet të kristaltë apelon në mesazhin e saj se talebanët, ISIS dhe grupet radikale e terroriste, janë kundër parimeve dhe vlerave të islamit dhe botës islame, dhe se Islami është fe e paqes me vlera universale. Mes fëmijërisë dhe adoleshencës, Malala dhe mijëra shoqe të saj përjetuan një histori të tmerrshme dhe të dhunshme, mistere, agoni dhe histeri nga ekstremistët dhe terroristët talebanë.
Në ditarin e saj shkruan se ishte 10 vjeçare kur talebanët zbritën në luginën e tyre. Në fillim, liderët dhe misionarët talebanë paraqiteshin me imazh sufist e pacifist, si reformatorë islamikë.
Nëpër xhamia dhe medrese bënin transformimin e Kuranit dhe haditheve të profetit tonë, Muhamedit. Ata kritikonin sistemin feudal, duke premtuar se kur ta marrin pushtetin, këto provinca të varfra dhe toka të djegura do t’i shndërrojnë në parajsë. Popullata e vuajtur, frustruar dhe zhgënjyer nga regjimet totalitare diktatoriale dhe elita e korruptuar kishin shpresa tek talebanët, duke i përkrahur dhe ndihmuar. Ata, me shumë shpresa dhe simpati, i përkrahën se do të sjellin paqe, mirësi dhe begati. Talebanët morën nën kontroll shumë provinca dhe territore të Pakistanit, ku kontrollonin gjithë institucionet. Pas disa muajve filluan reprezaljet dhe ligjet drakoniane anti-civilizuese. Ndaluan televizorët CD, DVD, afishet me muzikë, mbyllën sallonet e femrave dhe meshkujve.
Dogjën dhe shkatërruan dyqane me dekoracione për festat e Bajramit, lodrat për fëmijë, bizhuteri dhe gjithë artikujt nga perëndimi, kurse vetë talebanët voziteshin me makina luksoze, përdornin telefona të shtrenjtë celularë dhe teknologjinë më të sofistikuar nga perëndimi. Talebanët ndaluan vaksinat e foshnjave, duke propaganduar kinse janë komplote amerikane, për t’i bërë gratë myslimane sterile. Ata shpallën dekrete se femrat nuk duhej të shkonin në shkollë. Vajzat që kishin ndërprerë shkollimin, shpërbleheshin me para. Shumica e prindërve i largonin vajzat e tyre nga shkolla dhe në moshë të re i martonin.
Talebanët e urrenin arsimimin e femrave, por ata preferonin për martesë më së shumti femra të arsimuara, mësuese, infermiere dhe mjeke, që është paradoksale dhe tragjikomike. Babai i Malalës administronte një shkollë fillore që ishte e ndarë në klasa, paralele, të dy gjinive. Duke shkuar në shkollë, i ati i Malalës, herët në mëngjes kishte parë një grafit, letër e ngjitur në dyert e shkollës nga organizata islamike “Fedayeen te islam”, ku shkruhej: “Selam Alejkum!” Shkolla që ju drejtoni, zotëri, është laike, properëndimore, e pafe dhe kundër vlerave islame. Mbylleni këtë shkollë sa më shpejt se do të marrësh në qafë nxënësit e pafajshëm. Para një do kohësh afër qytetit të tyre, një kamikaz kishte hyrë në klasë dhe kishte vrarë shumë nxënës dhe mësues të shkollës fillore.
Babai i Malalës ishte një intelektual dhe aktivist i shquar që kishte ngritur zërin kundër talebanëve dhe organizatave ekstremiste. Ai, me një letër, ishte drejtuar partive dhe liderit “Fedyeen in islam”: Ju lutem, në emër të Zotit, mos na e ndaloni dijen, fuqinë më madhështore të njerëzimit, pasi dhe djalli tallet me ju. Ju jeni duke shkatërruar trashëgiminë kulturore dhe spirituale të popullit tonë, muzetë, shkollat, bibliotekat, thesarin e gjithë qytetërimeve dhe, në fund, qytetërimin islam. Më në fund i ati i Malalës mbylli shkollën. Shumë shkolla, biblioteka dhe tempuj u shkatërruan nga talebanët.
Ata kishin zbritur në qendër të kryeqytetit Islamabad. Qeveria kishte humbur kontrollin. Vajza të reja të mbuluara me burka dhe djem të rinj, me shkopinj në duar, shkatërronin, thyenin xhamat dhe vitrinat e dyqaneve me CD, DVD dhe rrihnin vajza të reja që nuk ishin të mbuluara me burka. I gjithë ky episod i ngjante Natës së Kristaltë dhe Revolucionit Kulturor kinez.
Libri “Unë jam Malala” është vepër e dytë, pas ditarit të famshëm të Ana Frank, vajza që tronditi gjithë botën. Ditari i saj është shumë emocionues dhe prekës për çdo lexues që ka lexuar librin “Unë jam Malala”.
Për gjithë vajzat dhe djemtë, mes fëmijërisë dhe adoleshencës, që jetojnë në paqe, prologu i kësaj vajze dhe mijëra shoqeve të saj është utopi dhe imagjinatë. Unë, kur e lexova këtë vepër, mbeta shumë i shqetësuar, ndjeva dhimbje dhe trishtim. Në fund mora lapsin duke ilustruar, mbajta shënime, dhe vendosa të shkruaj këtë kolumnë, së paku për t’i ndarë dhimbjet me lexuesit e mi. Protagonistja dhe heroina që preku dhe lëndoi zemrat e gjithë njerëzimit në tërë botën, dituria e saj është një apologji dhe autobiografi e gjallë që nxori në dritë këngët e saj të pa kënduara, mllefin, misterin, enigmën nga forcat e errëta të ekstremistëve dhe terroristëve talebanë.