Një grup qytetarësh protestoi të hënën në Prishtinë kundër shkurtimeve të furnizimit me energji elektrike dhe me kërkesë për shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.


Protestuesit hodhën poça elektrikë në oborrin e kompanisë së Kosovës për Shpërndarje të Energjisë Elektrike, në shenjë pakënaqësie me ndërprerjen e energjisë elektrike dhe me kërkesat që kompania e privatizuar të kthehet në pronësi të shtetit.

“Ne duam rrymë 24 orë pa ndërprerje dhe ne duam që ministrja (Artane) Rizvanolli të shkarkohet menjëherë dhe kjo qeveri me mbajt përgjegjësi për qëndrimet skandaloze që ka mbajtur deri tash edhe të na tregoj përfundimisht a është me neve apo me korporata”, tha Liridona Sijarin, njëra nga organizatoret.

Qytetarët i bën thirrje qeverisë që të ndërmarrë veprime për të rregulluar furnizimin me energji elektrike.

Kosova po përballet me përkeqësim të situatës me energji elektrike dhe temperaturat e ulta kanë shtuar nevojë për importim të sasive shtesë të energjisë që Kosova nuk i përballon dot me prodhimin e saj.

Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendjen e emergjencës për 60 ditë dhe ajo duhet të miratohet nga parlamenti i Kosovës, i cili nesër pritet të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme edhe më kërkesën e opozitës, e cila e akuzon qeverinë për mosveprim përballë një krize të paralajmëruar që në fillim të vjeshtës.

Qeveria ka ndarë mjete financiare për të mbështetur Korporatën Energjetike të Kosovës për të importuar energji elektrike ndërsa kryeministri Albin Kurti tha të hënën se në situatën aktuale nuk ka zgjidhje të mirë: ose shkurtime ose shtrenjtim të energjisë. Kryeministri Kurti shkroi të hënën në rrjetet sociale kriza energjetike është rrjedhojë e çmimeve të larta të importit dhe dobësimit të kapaciteteve prodhuese.

Aktualisht Kosova është e varur nga termocentralet me qymyr të cilat prodhojnë rreth 95 për qind e energjisë së përgjithshme të vendit ndërsa llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.