Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nuk ka informacione nëse institucionet e drejtësisë, apo edhe ato të sigurisë, janë duke vepruar karshi personave ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione, e të cilët janë serbë nga Kosova.


Lidhur me përfshirjen e personave të tjerë në këtë listë, Haxhiu tha se është shumë e rëndësishme që institucionet të mos i mbyllin sytë karshi këtyre rasteve. Po ashtu, ajo tha se të njëjtit njerëz nuk mund të operonin lirshëm pa mbështetjen e qeveritarëve të kaluar.

Ditë më parë, Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara vendosen sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq, si i dyshuar për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë së premtes, Ministria e Infrastrukturës ia ndërpreu kontratën për mirëmbajtje të rrugëve kompanisë së Radule Steviq, i cili është pjesë e kësaj liste.

“Ne si Qeveri, por edhe si ministri e Drejtësisë, i kemi mirëpritur sanksionet e vendosura ndaj kriminelëve serbë nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Konsideroj se jo vetëm pas këtyre sanksioneve, por edhe paraprakisht është dashur të ketë veprime të institucioneve qoftë të sigurisë, qoftë të drejtësisë, në raport me këta persona. E sidomos tani pas sanksionimit, unë nuk kam informacione në qoftë se institucionet janë duke e adresuar këtë”.

Ministrja e Drejtësisë po ashtu tha se institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovë nuk duhet të kenë mëshirë ndaj kriminelëve të cilët kanë operuar lirshëm në Kosovës.

Haxhiu madje u shpreh se personat që janë futur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të ishin pjesë e krimit dhe korrupsionit pa mbështetjen e politikave të qeverive të kaluara.

“Pas kësaj, nëse jo më herët, duhet veprime institucionale nga institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe po ashtu ekzekutivit dhe në këtë drejtim jemi dakorduar me ministrat e kabinetit qeveritar që gjithçka që varet nga ne të adresohet këtu, me theks të veçantë Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, por natyrisht edhe ministritë e tjera nëse kanë kompetenca. Drejtpërdrejtë Ministria e Drejtësisë nuk ka përgjegjësi në këtë, mirëpo ne jemi duke identifikuar nëse kemi diçka që mund të bëjmë në këtë drejtim, nuk duhet të kemi mëshirë ndaj kriminelëve të cilët kanë operuar lirshëm në Kosovës, është komplet e qartë se këta nuk do të mund të operonin me shkelje, krim dhe korrupsionin aq lehtë nëse nuk do e kishin mbështetjen e Prishtinës apo edhe të politikanëve që kanë qenë në Qeveri shumë vite”, deklaroi Haxhiu për KP.