Për aktoren serbe, Jasna Gjuriçiq, nëse Serbia është shoqëri demokratike, siç deklarohet, atëherë duhet ta shfaqë filmin “Quo vadis, Aida?”.


Gjuriçiq është aktorja kryesore e filmit të njohur boshnjak nën regji të Jasmila Zhbaniqit, i cili sjell rrëfimin për masakrën në Srebrenicë. Dy javë më parë – projekti filmik ku luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj – mori Çmimin më të mirë në Akademinë Evropiane të Filmit bashkë me trofetë për aktoren (Gjuriçiq) dhe regjinë më të mirë.

“Nëse ne jemi shoqëri demokratike, dhe ju deklaroni që jemi, hajde shfaqeni filmin ‘Quo vadis, Aida?’, që publiku ta shohë se për çfarë bëhet fjalë – si nuk ju vjen turp që tash e sa ditë ua rrëfeni njerëzve që nuk kanë mundësi ta shohin”, ka thënë ajo në një intervistë për televizionin “NIN”. Filmi që ka bërë bujë gjithandej, i nominuar edhe për “Oscar”, nuk është shfaqur në Serbi. Qarqet nacionaliste, jo një herë e kanë sulmuar atë, por edhe aktoren Gjuriçiq.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse e ka pasur zor me rolin e filmit “Quo vadis, Aida?“, ka theksuar se nuk pranon që kushdo qoftë, ta vërë në pozitë kur i duhet të mbrohet.

“Nuk dua të reagoj në marrëzira dhe thashetheme të atyre që s’e kanë parë filmin. Mendoj që Radio Televizioni i Serbisë duhet ta shfaqë filmin, sepse në traditën dhe në politikën e tij redaktuese e ka që publikut t’ia shfaqë filmat më të mirë, fituesit, dhe ‘Quo vadis, Aida?’ është i tillë “, ka thënë Gjuriçiq.

Ka thënë se ai film pos vrasjes së myslimanëve në Srebrenicë merret edhe me përgjegjësinë e batalionit holandez.

“Është e pabesueshme se si krejt bëhen të shurdhër me atë pjesë. E mbase kjo nuk është e jashtëzakonshme, sepse merret vetëm ajo pjesë që u duhet për ta mbajtur atë flakën e nacionalizmit dhe asgjë tjetër s’çon peshë”, ka thënë ajo.