Gërvalla: SHBA-të janë për Kosovën garancia e saj, sigurimi i saj i jetës

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla,  i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe aleatëve të tij evropianë që të bëjnë më shumë për të parandaluar që Ballkani Perëndimor të rrëshqasë sërish në konflikt etnik, duke i akuzuar këta të fundit për humbje të besueshmërisë dhe autoritetit në rajon.


Gërvalla tha në një intervistë për Newsweek, se Rusia dhe aleatët e saj rajonalë – veçanërisht në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë – po shfrytëzojnë hezitimin e Bashkimit Evropian dhe po nxisin të njëjtat ndarje etnike që tërhoqën Ballkanin në dhunë brutale në vitet 1990.

Ajo sugjeroi se një ndryshim i tillë po hap derën për ndikim më të madh rus dhe kinez në zemër të kontinentit evropian.

“Duke injoruar gjerësisht rreziqet në rritje, BE-ja ka humbur – dhe po humbet dita-ditës – kredibilitetin dhe autoritetin në Ballkan”, tha Gërvalla-Schwarz, vajza e aktivistit kosovaro-shqiptar Jusuf Gërvalla, i cili dyshohet se u vra nga policia sekrete e Jugosllavisë në Gjermani në vitin 1982.

“Nga njëra anë, ata kanë atë që e quajnë metodologjia e BE-së për hapjen ose moshapjen e bisedimeve të anëtarësimit me vendet e Ballkanit. Por nga ana tjetër, BE-ja nuk është mjaft serioze në parandalimin e konflikteve dhe ka humbur autoritet të konsiderueshëm duke shmangur rreptësisht adresimin e ngacmimit agresiv të Ballkanit”, shtoi Gërvalla-Schwarz, përcjell Klankosova.tv.

“Krejt dukshëm, Serbia është ajo që po sillet gjithnjë e më agresive ndaj të paktën tre fqinjëve; përkatësisht Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës”, tha ajo, duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për ngritjen e tensioneve me dashje.

Ekspertiza e Bidenit në çështjet e Ballkanit mund të jetë jetike në zbutjen e tensioneve rajonale, tha Gërvalla-Schwarz: “Shtetet e Bashkuara janë për Republikën e Kosovës garancia e saj, sigurimi i saj i jetës”.

“Ne e dimë se Kosova ka një mik të vërtetë dhe të besueshëm në Shtëpinë e Bardhë, i cili e njeh Kosovën që nga vitet 1990 dhe që ka qenë shumë mbështetës gjatë gjithë rrugëtimit tonë të vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë.”

Gërvalla-Schwarz hodhi poshtë gjithashtu çdo sugjerim se Shtëpia e Bardhë po ftoh raportet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, administrata e të cilit thuhet se fillimisht ishte lënë jashtë listës së të ftuarve për Samitin e Demokracisë të Bidenit. Presidentja e vendit Vjosa Osmani në fund mori një ftesë.

“Na takon ne të bindim miqtë dhe aleatët tanë për hapat që po ndërmarrim në fusha të ndryshme,” tha Gërvalla-Schwarz. “Por nuk ka asnjë dyshim dhe nuk duhet të ketë; Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë shumë fuqishëm në anën tonë.”