Gjykata e Kurbinit ka vendosur masën e sigurise ‘arrest me burg’ për babë e bir dhe shokun e tyre, të cilët u arrestuan për vrasjen e biznesmenit Rakip Roli në Laç.


Gjykata e Kurbinit ka caktuar arrest në burg për Llej e Skënder Lika dhe Klajdi Gjegjajn (Beleshi).

Gjatë seancës së sigurise, i riu Llej Lika ka deklaruar sërish se vrasjen e ka bërë ai dhe se babai dhe shoku i tij nuk kanë asnjë faj.

I riu së bashku me babanë e tij, Skënder Lika, u arrestuan nga Policia në lidhje me vrasjen e biznesmenit Rakip Roli në Sanxhak të Kurbinit, ngjarje e ndodhur paraditen e datës 10 dhjetor 2021. I riu ka pranuar autorësinë e vrasjes, ndërsa dy bashkëpunëtorët në këtë krim, të arrestuar gjithashtu nga Policia, nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me ngjarjen.

Sipas burimeve, 22-vjeçari Llej Lika ka thënë se vrasjen e ka kryer në shenjë hakmarrjeje, pasi viktima dhe djemtë e tij e kishin dhunuar barbarisht me 8 korrik të këtij viti, duke i shkaktuar fraktura të shumta dhe ka marrë mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Ndërsa referuar veprimeve hetimore të deritanishme, burime policore bëjnë me dije se dy personat e ndaluar janë bashkëpunëtorë në këtë krim.

Babë e bir i kanë zënë pritë biznesmenit sapo ai kanë dalë nga shtëpia e tij në fshatin Sanxhak të Kurbinit dhe 22-vjeçari ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të 55-vjeçarit Rakip Roli, i cili lëvizte me automjetin luksoz të llojit ‘Audi Q7’.

Pasi është bindur se objektivi ka ndërruar jetë, i riu ka shkuar te vendi ku ishte dhunuar me datë 8 korrik nga viktima dhe djemtë e tij duke qëlluar një breshëri në ajër. Shenjë kjo për të treguar se është hakmarrë dhe ka vënë dinjitetin në vend.

Më pas i riu mendohet se është marrë nga Klajdi Gjexhaj (Beleshi) dhe kanë lëvizur me një automjet tip ‘Benz’ ngjyrë gri në drejtim të Fushë-Milotit.