Ish kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë këtë të martë në ceremoninë për 30 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike në Durrës.


Në fjalën e tij mbajtur para demokratëve, ish kreu historik i kësaj partie e ka quajtur kohën e udhëheqjes së Partisë Demokratike nga Lulzim Basha si tetë vite fatkeqësi kombëtare!

“Sot pas 30 vitesh PD mbetet njëra nga dy forcat politike më të mëdha në Evropën ish komuniste. Forcat që përmbysën diktaturat nuk i rezistuan kohës. Misioni i tyre mbaroi. Kjo nuk ndodhi me PD-në. PD me gjithë tronditjet e mëdha që pësoi përsëri mbeti forcë kryesore politike e vendit. Ajo kishte periudha shumë herë më të vështira sesa motrat e saj në vendet ish-komuniste, që mund të përfundonte në arkivat e historisë, por kjo nuk ndodhi”, tha Berisha.

Sipas tij, një opozitë mund të jetë ose jo e madhe, mund të fitojë ose humbasë beteja por është gjithnjë shpresë mbjellëse, nëse anëtarët e saj e shohin si diçka të vërtetë.

“Ne sot bashkohemi këtu dhe jemi kudo në Shqipëri nga një opozitë ne gjendje agonie, nga një opozitë vite drite larg asaj që ishte dhe duhet të jetë PD, në një opozitë të vërtetë! Sot unë deklaroj para jush dhe shqiptarëve se raporti më jetik më vendimtar për pluralizmin politik është raporti opozitës më të vërtetën. Një opozitë mund të jetë ose jo e madhe, mund të fitojë ose humbasë beteja por është gjithnjë shpresë mbjellëse, nëse anëtarët e saj e shohin si diçka të vërtetë”, u shpreh ai.

“Ne pushuam në disa aspakte së qeni opozitë e vërtetë, kufiri mes qendrimit opozitar të PD dhe qëndrimit kriminal të strukturuar të qeverisë po shuhej, nëse kjo e fundit me vendimet e saj çdo ditë mbillte dëshpërim pasiguri, zhgënjim tek qytetarët, opozita në një lloj imitimi të saj nuk ngjallte shpresë, besim, optimizëm dhe kjo ishte një fatkeqësi e madhe kombëtare! Kjo kohë mori fund!”, tha Berisha.

Tutje nuk ka kursyer as ‘thumbat’ për Bashën, ndërsa nuk ka kursyer as akuzat dhe thirrjet për Kryeministrin Edi Rama!

“Sot jemi të lirë sepse pavarësisht nga regjimi i krimit, nga dhuna dhe presioni, ne vendosëm këtë vjeshtë të ngrihemi si njerëz të lirë. Ne vendosëm t’i themi besëprerit se koha jote mori fund, ne vendosëm t’i themi Edvin Ramës se mos luaj me opozitën. Shumë shpejt do ta provosh sa shumë do të paguash për lojën tënde me pluralizimin dhe opozitën shqiptare.