Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se ai ka pasur informacione se Basha i thoshte ambasadores Yuri Kim se çdo gjë në PD e kontrollon Berisha, deri aty sa edhe pretendonte për vendosje përgjuesi në selinë e demokratëve.


I ftuar në “Ora e Betit”, Berisha tha se ka pasur burime të mëvonshme se Basha ka bërë denoncimin për çështjen e non grata-s dhe se vendimi për përjashtimin e tij u mor pa asnjë fakt dhe dokument.

Berisha: Mua më është thënë muaj më parë nga Uashingtoni se Basha i thoshte ambasadores Yuri Kim se çdo gjë në PD e kontrollon Berisha, gjer në atë shkallë sa duhet të dalim të bisedojmë në ballkon se kemi frikë se ai mund të vendosë përgjues.

Përpos kësaj më kanë thënë edhe burime të mëvonshme se Basha ka bërë këtë denoncim. Vendimi u mor pa asnjë fakt dhe dokument. Administrata e SHBA-ve vetë e ka vlerësuar qeverinë time kundër korrupsionit. Keni fjalën e Hillary Clinton në 2012, ku ajo thoshte se kushdo që të shohë demokracinë në veprim të vijë dhe ta shohë në Shqipëri.