Ish-kryeministri Sali Berisha i është kundërpërgjigjur Departamentit Amerikan të Shtetit pas deklaratave se Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores së tyre në Shqipëri, Yuri Kim.


“Në bindjen time kritikat nuk janë sulme, unë kam kritikuar qëndrime dhe deklarata të ambasadores së SHBA, të cilat nuk kanë qenë në përputhje në vlerësimin tim me ligjet e vendit dhe Konventën e Vjenës. Unë mendoj se interpretimi i kritikave si sulme nuk është e drejtë pasi është formë e pastër bullizmi diplomatik”, tha Berisha.

Berisha ndër të tjera thotë se përfaqësuesja e SHBA duhet të kërkojë një ndjesë publike anëtarëve të Partisë Demokratike.

Një ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit hodhi poshtë akuzat e bëra në Shqipëri nga ish-kryeministri Sali Berisha ndaj ambasadores Yuri Kim.

Ky reagim u nxit pasi Berisha kishte folur për “një ndërhyrje të pashembullt, brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA”, duke shtuar se ambasadorja Kim “sillet si guvernatore, si ambasadori sovjetik në Tiranë dikur”.

Lidhur me akuzat e bëra nga ish kryeminstri Sali Berisha ndaj Ambasadores Yuri Kim se ajo po sillet si guvernatore në Shqipëri dhe se mbështet kryeministrin Edi Rama, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se “Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë”.

“Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, thekson zëdhënësi Price, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë”, tha Ned Price.