Alternativa në pushtet, Aleanca në opozitë! Kujt do t’i mbeten drejtoritë në Qytetin e Shkupit?

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ndërprenë koalicionimin e tyre, por ende nuk janë marrë vesh se kush do t’i marrë postet udhëheqëse në drejtoritë në Qytetin e Shkupit. Arben Taravari nga ASh, mbrëmë në “Click plus” tha se e kishin menduar që Alternativës t’i japin më shumë pushtet në Qytetin e Shkupit, por tash që Alternativa hyri në Qeveri duhet të bisedohet edhe njëherë kjo çështje.


F.A: Politikisht mendoni se i takon hise nga ajo marrëveshje Alternativës?
“Kemi menduar që nëse nuk hyjnë ato në Qeveri, t’ju jepet hapësirë sa më e madhe Alternativës për të pasur një lloj pushteti në Qytet të Shkupit. Por, pasi që hynë në Qeveri, le të ulen le të bisedojnë”.

Taravari la të nënkuptohet se Alternativa tani që është pjesë e pushtet qendrorë, duhet të heq dorë nga pushteti lokal. Megjithatë, nga Alternativa thonë se si parti kanë dhënë maksimumin që Danella Arsovksa të bëhet kryetare e Qytetit të Shkupit, prandaj mendojnë se duhet të jenë edhe e pushtetit lokal.

“Në zgjedhje lokale ne kemi pasur koalicion me Aleancën për Shqiptarët dhe bashkëpunim me VMRO-ne. Alternativa ka dhënë maksimumin e saj dhe ka dhënë vota që Danella Arsovska të bëhet kryetare e Shkupit, Arben Taravari i Gostivarit dhe Isen Shabani në Vrapçisht. Pra, ne i kemi qëndruar besnik premtimit tonë dhe e kemi realizuar atë. Është korrekte që në këto komuna të vazhdojë bashkëpunimi dhe ne të jemi pjese e pushtetit lokal. Alternativa edhe një herë shpreh gatishmërinë e saj për të vazhduar bashkëpunimin në nivel lokal”, tha Orhan Murtezani, zëdhënës i AAA-së.

Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa, para zgjedhjeve lokale kishte deklaruar se koalicioni ASH-AAA ka arritur marrëveshje me kryetaren e tanishme të Shkupit, Danella Arsovska që disa ndërmarrje të mëdha, si ‘Ujësjellësi dhe Kanalizimi’, “Higjiena Komunale”, “Parqe dhe Gjelbërime” ose Ndërmarrja për Transport Publik, së paku 2 nga këto të drejtohen nga opozita shqiptare.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se deri tani janë ndryshuar vetëm dy drejtorë të dy ndërmarrjeve publike. Në Ndërmarrjen Publike “ Drislla”, është emëruar Jane Micevski nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe Voisllav Dimitrovski në Ndërmarrjen Publike “Lajka” për përkujdesjen e kafshëve endacak. Dimitrovski është propozuar nga ana e shoqatave që merren me mbrojtjen e kafshëve.