Kreu i Partisë Demokratike ishte i treti në radhë që u ngjit në podiumin kryesor të sallës së Pallatit të Kongreseve në Tiranë për t’u betuar këtë të shtunë se në subjektin politik që ai drejton nuk do të ketë më njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare.


Lulzim Basha u prit me ovacione nga mbështetësit e tij dhe delegatët, të cilët iu drejtuan sallës, pas verifikimeve. Basha falenderoi të gjithë të ftuarit e pranishëm dhe parafolësit në Kuvendin Kombëtar.

Për të, ky Kuvend, është përcaktues për Shqipërinë e të nesërmes.

“Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, 31 vite, me suksese dhe dështime”, tha ai.

Sipas tij, demokratët sot nuk janë mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit, as kryetarit.

“Jemi mbledhur për të thënë të vërteta të cilat kemi kohë pa i shqiptuar”, u shpreh ai.

Kryedemokrati tha se konflikti me Sali Berishën i ka kushtuar shumë shtrenjtë demokratëve.

“Sot, konflikti që Sali Berisha ka patur dhe po thellon dita ditës më shumë është i shpërfaqur në sytë e të gjithëve dhe nuk ka asnjë dilemë. Nuk ka më asnjë dyshim se e gjitha kjo na ka kushtuar shumë. I ka kushtuar shumë Partisë Demokratike dhe cdo anëtari dhe votuesi të saj”, tha ai.

Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit pritet të votojë të shtunën përjashtimin nga funksionet drejtuese në Partinë Demokratike përsonat e shpallur non grata nga SHBA dhe mbështetjen e iniciativës për dekomunistizimin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe publike.

“Shpallja non grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike“.

“Në vendimin e saj, Partia Demokratike argumenton se duke parë të ardhmen e vendin në udhëkryq dhe të ardhmen e saj të kërcënuar nga jehona e të shkuarës, nga një frymë revanshiste që kërkon të delegjitimojë dhe të shkatërrojë opozitë nga flukse me frymëzim dhe ide antidemokratike dhe kundër vlerave identitare të pro-amerikanizmit dhe pro-europianizmit”.

Miratimi i këtij propozimi automatikisht e nxjerr Sali Berishën jashtë dy organeve më të larta drejtuese, Kuvendit dhe Këshillit Kombëtar dhe e vetmja pikë që e mban të lidhur ish liderin e së djathtës me PD-në e Bashës është karta e antarësisë të cilën e mban nga dita kur themeloi partinë.