Xhaferi e vizitoi Pavijonin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Ekspo 2020 Dubai

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dhe delegacioni kuvendor e vizituan Pavijonin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Ekspo 2020 Dubai.


Siç kumtoi shërbimi kuvendor për shtyp, në periudhën prej 1 tetorit 2021 deri më 31 mars 2022 vendi është prezantuar në EKSPO 2020 në Dubai me slloganin “Shtëpi në çdo hap”, ndërkaq nën moton “Mundësi të reja”.

Bekri Ajdini, komisar i përgjithshëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Dubai Ekspo 2020 theksoi se vendi me pavijonin e vet prezantohet si rrëfim i suksesshëm, vend me trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, ku në harmoni jetojnë bashkësi të ndryshme etnike.

“Është prezantuar si destinacion atraktiv turistik në të gjitha katër sezonet, që ofron mundësi për sporte avanturiste dhe ushqim të shijshëm. Theks i posaçëm është vënë në prezantimin e vendit si destinacion i mundësive për investime të huaja, volitshmëri afariste dhe bashkëpunim ekonomik dhe tregtar. Me panele shtesë janë prezantuar edhe zonat e lira ekonomike, mundësitë për bashkëpunim në bujqësi, energjetikë dhe të ngjashme”, kumtoi Ajdini.

Gjatë prezantimit, Ajdini nënvizoi se interesi i kompanive nga Republika e Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në EKSPO 2020 Dubai është në nivelin e kënaqshëm, ndërsa prezantimi i tyre në përgjithësi zhvillohet përmes odave tona ekonomike. Parashikohet pjesëmarrje e kompanive nga vendi nga sektorët e afërm në përputhje me programin dhe javët në EKSPO 2020 Dubai. Do të shfrytëzohet në mënyrë maksimale edhe nisma “Ballkani i hapur”, për bashkëpunim të afërt të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë, në kuadër të EKSPO 2020 Dubai.

Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë në qendrën e vëmendjes botërore më 22 shkurt 2022, kur në kuadër të EKSPO 2020 Dubai do të mbahet manifestimi kulturor qendror dhe forumi i biznesit për promovimin e mundësive të investimit.

Shërbimi i Kuvendit për shtyp thekson se si gjest i mikpritjes së përzemërt, nga ana e mikpritësve u organizua edhe vizita e Pavijonit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Pavijonit të Arabisë Saudite.

Ekspo 2020 Dubai është ngjarja më e madhe ndërkombëtare në të cilën marrin pjesë mbi 190 vende, ndërsa priten mbi 25 milionë vizitorë.