Si duket edhe këtë radhë treni i linjës europiane Shkup-Bruxelles nuk do të mbërrij në destinacionin e tij ‘Place Schuman’, jo për faj të zyrtarëve të Brukselit por për shkak të zënkave dhe kontesteve historike dhe gjuhësore mes ‘dërzhavës sonë Severna’ dhe Bullgarisë, që edhe këtë radhë bullgarët nuk binden dhe nuk heqin dorë nga e drejta e tyre për t’i vënduar veto propozimit për hapjen e negociatave me BE-në.


Prej vitesh nga kjo sherrnajë mes dy vendeve po e pëson padrejtsisht Shqipëria, e cila ka bërë më të mirën e mundshme për të ecur përpara drejt eurointegrimeve por, si duket e ‘futur qëllimisht në një bashkërrugëtim me Sevrën tonë’ në hekurudha me binarë të prishur ajo po ngec me vagonin e saj në rrugën e gjatë për në Bruksel.

Lokomotiva e trenit të linjës ndërkombëtare e drejtuar nga makinisti Zaev, po pëson avari sa herë që niset nga Shkupi ajo minohet dhe bllokohet përveç vetos bullgare edhe nga opozita sllavo-maqedone, duke i hedhur në këtë rast shkopinj në rrota nga forca destruktive që duan që ky tren të ketë për destinacion Moskën dhe jo Brukselin.

Paradoks më vete është edhe deklarimi i përfaqësuesve të qeverisë Zajko 2 që në orientim tonë thonë se, ne ndjekim rrugën e integrimeve europiane dhe se me zemër jemi në Uashington dhe Bruksel, por ama një a më shumë anëtarë të këtij koalicioni janë të ‘ndëshkuar’ nga Uashingtoni në listën e zezë si persona non-grata siç është z.Thaçi!

Një koalicion qeveritar që thotë se është pro perëndimor dhe se e ka zemrën në Uashington por që brenda saj ka individë që nuk janë të dëshirueshëm për Uashingtoni, e vë në pikëpytje të madhe mbështetjen e qeverisë Zajko 3 apo ndonjë tjetër premieri nga SDSM-ja nga Uashingtoni zyrtar, i cili duket se ka preferuar të hesht në këtë krizë politike që ka kapluar ‘Severnën’ tonë.

Mesazhi që ka Uashingtoni për qeverinë e koalicionit Zajko duket se është jo premtues për ta dhe se kjo qeveri nuk gëzon mbështetjen amerikane pa bërë më parë Vetingun brenda koalicionit qeverisës, që do të thotë t’i largojë nga qeveria individë të caktuar që Uashingtoni nuk i ka për zemër ata që i ka shpallur non-grata duke shfaqur edhe një ftohje ndaj sharlatanit Zajko për shkak të dorës së lirë që ka treguar ai ndaj partnerëve të koalicionit.
Uashingtoni e di mirë se brenda qeverisë së koalicionit ka nga ata grupe mafioze që thonë se e kanë zemrën në Uashington dhe në Bruksel por që kanë kullufitur nga të gjitha anët nga leverditë dhe favoret e pushtetit.
Prandaj, nuk mund ta kenë zemrën në Uashington dhe Bruksel të gjithë ata që janë kredhur në batakun e korrupsionit ku as Drini i Zi nuk ia lanë dot njollat e papastërtisë së tyre.

Nga ana tjetër përfaqësues të koalicionit qeverisës për t’u paraqitur si të ndershëm dhe të përgjegjshëm thonë se përmes skenarit të rrëzimit të qeverisë, opozita e pareformuar dhe dështake sllavo-maqedone dhe ajo shqiptare, po i shërbejnë politikave të vjetra puçiste lindore për të ardhur në pushtet me metoda jodemokratike dhe se zemrat e tyre rrahin për Moskën dhe jo për Uashingtonin!

Le të shohim qëndrimin e Uashingtonit zyrtar në javët që do të vijnë ndaj qeverisë së parinovuar të premierit Zajko nga elementë të padëshirushëm apo do vazhdojnë t’i tolerojënë si më parë, duke i mbyllur sytë për shkak të destabilizimit që mund të përfshihet rajoni nga provokimi i politikave konfliktuale ruso-serbe në Ballkan. Medai Shaholli