Eni Feruli, psikologe


Eni Feruli është psikologe klinike dhe trapiste ndaj varësive të drogave. Ajo është e lindur në Sarandë
dhe aktualisht jeton në Montreal/Kanada, me bashkëshortin dhe 2 fëmijët e saj, vajzën 15 vjeç dhe
djalin 3 muajsh. Feruli ka përfunduar studimet e larta Master në psikologjinë klinike dhe post Master në
Danimarkë. Ajo ka një eksperiencë shumëvjeçare si psikologe dhe burimeve njerëzore në sektorin privat
dhe publik në Tiranë. Në Kanada Feruli ushtron profesionin si trapiste klinike ndaj personave me varësi
nga drogat.

HEJZA: Si etni, si shoqëri moderne shqiptare, a i ngjajmë qytetarit që përfundimisht duhet të shtrihet në
pavijonet e psikiatrisë? Po që e kemi makth e për turp kontrollimin në psikiatri?! Kurse qytetaria ndjehet
e lumtur sapo të gjejë psikologun familjar! Cili është sot profili psikik i shqiptarit?

ENI FERULI: Absolutisht JO. Shoqëria shqiptare i ngjan atij qytetarit që është shtrirë tashmë në shtratin e
pashpresës dhe të rraskapitur nga varfëria (përqindja më e madhe). Në ditët e sotme nga eksperienca
personale, mendoj se është zbehur turpi për të trokitur në derën e një psikologu apo psikiatri, por
pamundësia për ta përballuar një shërbim të tillë bën që kërkesa për ndihmë mendore të jetë ende në
shifra të ulëta. Dhe kush e merr si shërbim, vërehet ai filli i copës së lumturisë pasi shikojnë një fije
shprese për ta.
Askush nuk mund të përshkruajë profilin psikik të një populli në përgjithësi. Përshkrimi psikik i një
personi të vetëm është i vështirë, pasi duhet një studim në mënyrën se si personi mendon, çfarë ndjen,
si e shikon ai botën përreth dhe si vepron në atë realitet. Pra, do ta përshkruaja popullin shqiptar si një
popull të zgjuar, një popull punëtor. Por, sjelljet e tyre në Shqipëri janë të varura nga sistemi ekonomik
tejet i varfër dhe duke menduar se shpresa e tyre e një mirëqenie jetese varet nga drejtimi politik. Nëse
do të ishte i mundur një ekzaminim i të menduarit dhe ndjenjave të shqiptarit se si ata e dëshirojnë
jetesën e tyre, më besoni do të ishte në pritshmëri shumë të larta.

HEJZA: Shekuj e shekuj të robëruar, të nënshtruar, të nëpërkëmbur, në kulmin e varfërisë, megjithatë,
nuk kemi hequr dorë nga integriteti etnik, krenarë që vijmë nga lashtësia e me tradita që na kanë dhënë
emër! Sot japim gjithçka që të ndjehemi të lumtur! Çka është lumturia individuale e çka lumturia
kolektive-kombëtare?

ENI FERULI: Duke ardhur nga një eksperiencë personale e dy vendeve të botës që sot renditen të parat
për nga mirëqenia dhe lumturisë kolektive, si Danimarka ku kam kryer një pjesë të studimeve pas

Masterit dhe Kanadaja ku sot jetoj. Do t’i përgjigjesha kësaj pyetje duke e nisur se sot populli shqiptar
jep gjithçka për të qenë i lumtur edhe emrin e lashtë nga vijmë dhe traditat.
E dhimbshme, por shumë e vërtetë. Nuk jemi as të shurdhët e as pa sy të kuptojmë se sa gati janë ata
shqiptarë për t’u arratisur nga sytë këmbët nga ai vend me prejardhjen tonë të lashtë, e të përqafojmë
të uritur tokën e një vendi tjetër. Përse? Sepse, lumturia individuale varet drejtpërdrejtë nga lumturia
kolektive kombëtare.
Si mund të jetë i lumtur një individ sado i pasur apo i varfër nëse lumturia kolektive kombëtare çalon?
Lumturia është raporti midis mirëqenies dhe shëndetit, të cilat lidhen me zinxhir me kushtet e vendit ku
jetojmë. Sa më jetëgjatë të jetë dhe të ofrohet mirëqenia e individit, aq më e lumtur dhe e sigurt do të
ndjehet shoqëria. Nëse krahasojmë shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët jashtë trojeve të saj, vihet në
dukje një krenari për prejardhjen tonë, sepse qetësia dhe lumturia kolektive e vendit tjetër bën që të
tregojmë vlerat e prejardhjes sonë dhe suksesit që shqiptarët kanë treguar me fakte në vendet e huaja.
Qetësia psikologjike, mirëqenia e jetës pasohet nga vepra dhe lumturia kolektive dhe anasjelltas.

HEJZA: Disiplina e diktuar nga diktatura e egër na ka mbajtur larg dukurive të shëmtuara e psikopatike
(përdhunimi, dhunimi, droga, krimi në familje, në shoqëri, pedofilia, zoofilia etj.), apo, këto i kemi pasur
të ndrydhura nëpër kthina të gjeneve dhe, mezi kemi pritur një “liri absolute” që të shpërfytyrohemi e të
bëhemi gaz i botës!

ENI FERULI: Dukuritë e shëmtuara, siç dhe ju e theksoni në pyetje, janë kudo dhe ndodhin çdo dite. Por,
ndrydhjet, do ta theksoja më tepër nga mentaliteti i shoqërisë dhe familja, të cilat, për shkak të opinionit
publik, vazhdojmë ende t’i mbajmë fshehur. Mund të justifikoj popullin shqiptar për shumë situata që
nuk ka forcën t’i ndryshojë, por nuk duhet toleruar asnjë formë dhune pasi sot kërkohet e drejta dhe
nëse dikush do të mundohet ta fshehë atë, do të jetë e pamundur. Jemi në një kohë ku elektronika na ka
mundësuar të denoncojmë cilindo në kohë reale.

HEJZA: A mund të lumturohet një popull nga jeta e begatë kulturore? Apo, lumturia nuk varet nga
kultura por nga shëndeti psikologjik i popullit?

ENI FERULI: Lumturia në përgjithësi është bashkim copëzash lumturie ku patjetër jeta e begatë kulturore
ndikon drejtpërdrejtë në psikologjinë e njeriut. Duke u nisur dhe nga fusha ime profesionale, ne
trajtojmë problemet psikike me terapi nga fusha kulturore, si arti, muzika…etj. Sa më shumë aktivitete
kulturore, aq më shumë largohemi nga veprat e dhunës dhe stresi individual-kolektiv.

HEJZA: Sa më shumë të kemi psikologë familjar aq më pakë do të kemi probleme si shoqëri! Pajtoheni
me këtë? Apo, ky problem nuk do të mund të zbutet pa u trajtuar nga psikologët fillimisht politikat
kombëtare.

ENI FERULI: Psikologu ka një rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e problemeve psikologjike të
individit, të cilat pasqyrohen në familje dhe shoqërinë e gjerë. Një problem zbutet apo zgjidhet jo duke
bashkëvepruar të gjitha hallkat e zinxhirit dhe jo nga një segment i vetëm.

HEJZA: Si ta pranojmë kritikën objektive si terapi psikologjike?

ENI FERULI: Kritikë objektive personale apo kritikë objektive kolektive? Nëse do të bëhet fjalë për kritikë
objektive kolektive, atëherë e vetmja mënyrë që të mos këtë impakt negativ, por përmirësues pas
kritikës, është që të mos e marrim kritikën personale. Por, sa e lehtë është kjo, lind pyetja?
Ndërsa nëse flasim për kritikë objektive personale, është shumë e vështirë pasi personat e marrin me
negativitet, sepse vihen në pah gabimet dhe të metat. Që kjo të funksionojë, personi që bën kritike
objektive, duhet të shfaqë dashuri dhe përkujdesje ndaj personit tjetër. Dhe kjo nuk funksionon në
terapitë psikologjike. Terapitë psikologjike ushtrohen nëpërmjet profesionalizmit.

HEJZA: Psikologjia e krijimtarisë sonë kulturore na bën me identitet të veçantë e specifik, apo, na veçon
si “pacient në kurim e sipër”!

ENI FERULI: Shqiptarin nuk do ta quaja kurrsesi pacient.

HEJZA: Tri këshilla psikologjike që do të vlenin për shqiptarin e sotshëm. Apo, cilat do të ishin ato copëza
psikologjike të puzzle-s së portretit të shqiptarit të sotshëm të lumtur e të suksesshëm?

ENI FERULI: E vetmja dëshirë që do të shprehja pasi nuk mund të jap këshilla është “t’i ftoja” të gjithë
shqiptarët të besojnë në aftësitë e tyre dhe të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të shkëputin
marrëdhënien popull-politikë. Politika duhet të ketë frikë nga populli dhe jo populli nga politika e një
vendi.