Nga romanet fantastiko-shkencore deri te filmat aksion, taksitë fluturuese kanë qenë pjesë e imagjinatës njerëzore prej kohësh.


Por, këto mjete futuristike janë fare pranë bërjes realitet dhe mund të përdoren edhe si taksi për të transportuar tifozët gjatë Lojërave Olimpike 2024, në Paris.

Kjo është bërë e ditur nga zyrtarë francezë ditën e sotme, të cilët shtuan se kanë nisur testimet me taksi elektrike fluturuese që pritet të përdoren gjatë Lojërave Olimpike.

Qëllimi final është të krijohen të paktën 2 “pista” fluturimi në ajër, në mënyrë që të lehtësohet trafiku gjatë lojërave.

Për momentin, rreth 30 prodhues të këtyre lloj makinave po testojnë produktet e tyre në fushën ajrore Cromeilles-en-Vexin, që ndodhet vetëm disa kilometra larg Parisit.

Ky lajm vjen pak kohë pasi kompania koreano-jugore, Hyundai, njoftoi planet për hedhjen në treg të taksive fluturuese autonome deri në vitin 2028, të cilat do të kenë mundësi të akomodojnë deri në 5 pasagjerë.

CEO i Aeroports de Paris, Augustin de Romanet, u shpreh për mediat franceze se:

“Këto testime janë të paprecedente deri më sot në Evropë dhe se ato do të shërbejnë për të ndërtuar një eksperiment konkret dhe për të eksploruar gamën e mundësive të aviacionit inovativ, si dhe për të zhvilluar tregun e aviacionit në lartësi të ulëta (poshtë 300 metrave), i cili deri tani ka mbetur më së shumti i paeksploruar”.