Një tërmet me magnitudë 7.5 goditi rajonin e largët të Amazonës në veri të Perusë gjatë mëngjesit të sotëm dhe u ndje deri në Lima në qendër të vendit dhe në jug të Ekuadorit, duke shkaktuar dëme nëpër shtëpi pranë epiqendrës, pa raportuar viktima.


Qendra sizmologjike e Institutit Gjeofizik të Perusë (IGP) tha se tërmeti kishte një thellësi prej 131 kilometrash (81 milje) dhe se epiqendra ishte 98 kilometra nga qyteti i Santa Maria de Nieva në provincën e Condorcanqui.

Tërmeti është ndjerë në të gjithë Perunë qendrore dhe veriore. Disa banorë u larguan nga shtëpitë e tyre si masë paraprake, sipas raporteve të radios dhe televizionit lokal.

Asnjë dëm nuk u raportua në tubacionin e naftës prej 1,100 kilometrash të Petroperu në pronësi shtetërore që kalon rajonin peruan të Amazonës në brigjet e Paqësorit në veri.

Walter Culqui, kryebashkiak i qytetit të Jalca Grande në provincën Chachapoyas, tha se disa shtëpi ishin dëmtuar, duke lënë tre persona të lënduar lehtë. Një pjesë e kullës së kishës në zonë u shemb, tha ai.

Në Ekuadorin fqinj, tërmeti u ndje në 19 nga 24 provincat, me dëmtime në disa shtëpi, por nuk raportohet për të lënduar, sipas Shërbimit Kombëtar për Menaxhimin e Rrezikut dhe Emergjencave të Ekuadorit.

Instituti Kombëtar i Mbrojtjes Civile i Perusë (Indeci) tha në një deklaratë se në distriktet e Amazonës të Valera, San Jeronimo dhe Leimebamba tërmeti “ka shkaktuar dëme në një numër ende të papërcaktuar shtëpish”.

Përmes rrjeteve sociale është raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në disa lokacione në zonat e xhunglës. Imazhet e televizionit lokal treguan rrugë të bllokuara nga gurë të mëdhenj.

Sistemi i paralajmërimit i SHBA tha se nuk kishte paralajmërim për cunami pas tërmetit.