Mutacioni i ri Omicron i koronavirusit u zbulua te 13 persona që mbërritën në Amsterdam të Holandës me dy fluturime nga Afrika e Jugut.


Pozitivët në variantin e ri janë mes 61 pasagjerëve që u konstatuan pozitivë për koronavirusin dhe u vendosën në karantinë.

Holanda ka vendosur kufizime më të ashpra mes një numri rekord të rasteve me Covid dhe shqetësimeve për Omicron. Masat përfshijnë mbylljen e hershme të vendeve dhe ngjarjeve kulturore, si dhe kufizime në tubimet në shtëpi.

Të gjithë pasagjerët janë në fluturimet e linjës ajrore holandeze KLM nga Johannesburg dhe mbërritën në Amsterdam të premten.

61 pasagjerët me Covid-19 pozitiv u karantinuan në një hotel pranë aeroportit Schiphol.

Ata që dolën negativë iu kërkua të izoloheshin në shtëpi për 5 ditë dhe t’i nënshtroheshin ekzaminimeve të mëtejshme, ndërsa atyre që ishin në tranzit u lejuan të vazhdonin udhëtimin.

Pas shpalljes së 13 rasteve, sot ministri holandez i Shëndetësisë paralajmëroi se mund të ketë raste të tjera të variantit të ri në vend.

Vende të tjera evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Italinë, kanë identifikuar gjithashtu raste të mutacionit të ri.

Disa vende anembanë botës tani kanë ndaluar ose kufizuar fluturimet drejt dhe nga Afrika e Jugut.