Interi vazhdon me rinovimet, në “radarët” e zikaltërve edhe dy mbrojtës gjerman

Drejtuesit e Interit nuk duan të humbasin kohë dhe po merren me futbollistët, kontratat e të cilëve janë në skadencë.


Pas rinovimit me Martinez Lautaro dhe Nicolo Barela, tani është radha e një tjetër lojtari. Mbrojtësit italian Federico Dimarco, kontrata aktuale i mbaron në fund të sezonit 2023 dhe Interi i ka ofruar rinovimin e saj më rritje të konsiderueshme page.

Aktualisht Dimarco përfiton 600 mije euro në sezon, që janë shumë pak për një nga futbollistët që me Inzagin ka luajtur thuajse çdo ndeshje. Me rinovimin e Kontratës drejtuesit e Interit i kanë ofruar futbollistit një pagë prej 1.6 milion euro në sezon, e cila do të pësojë rritje vit pas viti në bazë të paraqitjeve të tij me skuadrën.

Federico Dimarco është “produkt” i dalë nga akademia e Interit dhe kjo është një tjetër arsye se pse zikaltërtit nuk duan të humbasin xhevahirin e tyre.

Gjithashtu brenda këtij muaji drejtuesit e Interit do kërkojnë të takohen edhe njëherë me përfaqësuesit e Marcelo Brozovic për të gjetur një gjuhë të përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin mes palëve, ku nëse nuk arrihet marrëveshja lojtari duhet të bëjë gati “valixhet” dhe të largohet nga Milano që në merkaton e janarit.

Në “radarët” e Interit janë edhe dy mbrojtës gjermanë, që zikaltërtit i shikojnë me interes për ti transferuar në Milano. Rudiger dhe Gunter të cilët në merkaton e verës janë lojtarë të lirë dhe kjo e shtyn edhe më shumë Interin për të siguruar shërbimet e tyre pa qenë e nevojshme të derdhë shumë të mëdha parash në arkat e klubeve ku aktivizohen mbrojtësit.