Shkruan: Florim AJDINI


Historia jonë e përgjakur, gjatë shekujve, gjithnjë na ka pozicionuar në arenen e madhe të betejave, të cilat shpeshherë si komb i kemi fituar! Kështu kemi mposhtur armiqtë shumë më të fuqishëm se vetë ne! Turkun selxhuk, sllavin, proto-grekun, grekun antik dhe shumë të tjerë. Nuk është se kemi fituar ose rikthyer territore të shkelura nga thundra e tyre shovinisto-ksenofobe, por thjeshtë, kemi mposhtur aspiratat e tyre shekullore për të na asgjësuar si popull dhe kulturë ‘sui generis’. Civilizim dhe kulturë kjo, që sot e kësaj dite, paraqet sfidë multidimensionale për shkencën bashkëkohore, gjithnjë udhëhequr nga institucioni i kodifikuar identitar i quajtur “Besë”, e pozicionuar si një ndër vlerat më të shtrenjta morale të shqiptarit, që kombin dhe mbijetesën e tij, e pozicionon në esencën e tij të mbijetesës.
Kjo, sepse si popull, si gjuhë e kulturë disamileniumshe, e lajthitur dhe e ringjallur nëpër korridoret e erta të historisë, e mshefur në sirtarët e pluhurosur, pas kangjelave të fshehura të arkivave të muzejeve më të famshëm të botës, hulumtuesin e sotëm, e vëndos përpara sfidave që këtë popull të vogël me emër të madh, ta shikojnë si ‘muza e pafundme’ e empiricizmit hulumrues, mbijetesa e cenuar e të cilit, si për çudi fuqizohet nga po ky institucion magjik. Të një empiricizmi rilindës mbarëkombëtar, të prirë në pafundësi, nga kjo fjalë kaq magjike e mbijëtesës sonë kombëtare. Empiricizmit, që falë fuqisë së kodifikuar kombëtare, atëherë kur gjithnjë në pyetje ka qenë mbijetesa jonë si kulturë dhe si komb, ka shpalosur “magjinë e fuqisë së Besës së dhënë”, që si komb, tu bëjmë ballë sfidave të parashtruara si nga armiqtë e brendshëm ashtu edhe nga ato të jashtmit.
Fuqia e saj e gjenit të kodifikuar kombëtar, nëpërkëmbësit e parë të shenjtërisë së saj, i shpalosi në terrin e tradhëtisë, ndërsa të dytët, fuqia e saj e dashurisë për komb, atdhe dhe gjuhë, i gjunjëzoi dhe përgënjeshtroi në paturpësi! Një avaz që vazhdon edhe sot e këaj dite.
Të rrjepur territorialisht, të reckosur dhe rregjur në fytyrë, me sy të kaltër, që sillen vërdallë për të gjetur perëndimin dhe vetveten e humbur në kthetrat e pushtetit të homo balkanicus, inteligjenca shqiptare, ky komunitet i heshtur nga satani, sot i mllefosur, përfundimisht, po shpalos përgjigjen e trishte të problemeve, gabimeve dhe lajthitjeve që solli shkelja e këtij institucioni të shenjtë, qe si komb, na solli në këtë derexhe!
Gjeni i përzier kulturor, religjioz dhe biologjik! O fortuna! Ky “Trekëndësh i Bermudës Identitare, TBI”, i komanduar nga gjeni i bastarduar dhe kameleonesk, që nuk njeh vetveten, është satani që synon eliminimin tonë, nga skena politike, edhe si komb edhe si faktor edhe si nocion gjeopolitk. Pra, në format më perfide të veprimit te tij politik dhe religjioz, të na tjetersojë dhe zhveshë nga atributet kombëtare dhe jetësore të të qenurit shtet, që fatmirsisht sot, si të tillë, po qëndrojmë fortë të vëndosur në postulatet e vlerave të demokracisë perëndimore. Vlerave, që në demensine veprimeve tona te bjerra, ngadalë por sigurtë po përpiqemi ta shkatërrojmë. Për çudi, në kohën bashkëkohore të internetit dhe të botës së globalizuar, në epokën e vlerave të demokracisë perëndimore, që po pretendojmë t’i kemi përqafuar, jemi vetë ne, të lidhur në aleancë me dreqin, për të shkatërruar atë pak që kemi ndërtuar. Më shumë bomba, më shumë udjrudma, më shumë pacipësi, edhe më shumë patriotizëm Dno-Kishotian, për mbajtje të vetevetes tonë në kthetrat e përgjakjes dhe mjerimit, në paudhësinë e mbajtjes së pushtetit dhe kolltuqeve, rrahim rrugën e të marrëve, që nuk dijmë ku po na shpje!
Do të dëshironim, që ky realitet të mos shëndrohej në një ëndërr të trishtë e të llahtarshme, ku zhvillohet drama reale me dreqin ne kryerol, që po na ndjek nga dita në ditë! Por edhe për sa do të dëshironim që këtë ëndërr të llahtarshme, syhapur të mos e shikonim më? Kush na rrezikon, pse, si, për ç’interesa, për çfarë pazaresh të pista, na shesin, nën pushtetin deitik të cilës Perëndi, na ngulfasin shpirtin dhe besimin, në Zotin tonë që na mbron nga ligësia!? Përgjigjja e trishtë qëndron në mesin tonë të kontrolluar nga gjeni i bastarduar! Nga gjeni që sa vjen e përdel nga vetvetja, për t’u diagnostifikuar si “psycho dementia exstrema”, e politikave kombëtare!
Status mendor ky, që nuk funksionon sipas postulateve që njeh mendësia e logjikes racionale. Nëse si intelektual kosmopolitan i globalizuar, atdhetar i kalitur i rrugës së kombit, syte të janë terrur dhe nuk shikon shpëtim nga “thikat e gjata të netëve të territ politik”, gabim e ke! Diku thellë në gjenin tonë identitar të shqiptarit europian, qendron e ngulitur ajo! BESA e fjalës së dhënë! Ndryshe nga ata të cilët thirren në të. Krenare, e fuëishme, e çeliktë, e pathyeshme! Ky institucion i çeliktë identitar, që edhe kur menduam se u zhduk, si fantazmë paraqitet për të shpëtuar bijtë e bijat e saja! Kështu ka qenë gjithnjë! Edhe dikurë, larg në kohë, edhe dje, edhe sot. Ajo është aty ku duhet. Besëlidhja e Princerve te Lezhës së famshme, shekuj më parë, në krye më të jashtëkohshmin Gjergj Kastriotin, Lidhja e famshme e Prizrenit, në krye me mendjet e mëdha të kombit, por dhe shumë të tjera, shpeshherë „të shitura nga flamurtarët që në shqiponjën dykrerëshe“, shikojnë shpatën, shikojnë gjysëmhënën, shikojnë kryqin orthodoks, në emër të Përëndive të tyre, që në pabesi tradhëtuan!
Një traumë e pashërueshme kombëtare, që sot edhe me fuqishëm godet për vdekje interesat tona kombëtare, për të shpëtuar nga kthetrat e paudhësisë bastarde! Ajo kthehet e rikthehet, si thikë që në pabesi godet thellë nga prapa, për të çarë copë më copë zemrën që rrah arbërisht. Thikë tinzare, që ngulitet thellë në zemrën shqiptare, që më vonë të vajtojë viktimën me lotët e saja të krokodilit! Marrëzi shqiptare par excellence! Tradhëti e paudhë që në pacipësi, sipas modës së politikbërjes a la facebook, papritmas, shëndërrohet në fantazmë patriotike, që mvesh petkun e demokracisë, ku autori, me duar të përgjakura e fytyrë të vampirosur, thirret në bekimin Amerikës: “God Bless America!”
Një parodi kjo, e politikberjes “a la bit pazarçe”, që shkatërron në pacipësi tradhëtare institucionin unik të BESËS, së jashtëkohshme. Deri kur do mshehemi si qyqarë duarpërgjakur, pas flamurit tonë të lashtësisë, deri kurë do mashtrojmë veten dhe popullin në këtë mënyrë perfide, që popujt e civilizuar, e kanë varrosur, shekuj e shekuj më parë! Deri kurë, në demens antikombëtar, në frontet multidimensionale të tradhëtisë së madhe kombëtare, do luajmë lojën e satanit? Përfundimisht, gjeni i shkatërruar identitar, duhet eliminuar nga trupi ynë “Illyricum Sacrum.” Një strategji gjithkombëtare, që do duhet përpiluar, për të ikur sa në shpejtë nga kjo ligësi që solli rënia e regjimit që lamë pas!
Madhështia e magjisë së këtij Brendi – Institucion Identitar (BII), gjithnjë përpara madhështisë së tij, ka gjunjëzuar tradhëtarë nga më fatalët që njeh historia jonë e bujshme. Andaj, mësimi duhet mësuar. Larg nga ata që tradhëtia u mshefet thellë në sytë dhe mendjen e tyre. Ajo lehtë vërehet nga drita dhe dashuria ndaj kauzës kombëtare dhe kombit tonë. Ate nuk e verejnë vetëm ata që nuk dallojnë; dashurinë nga urrejtja, humanizmin nga krimi, heroizmin nga qyqaria, madhështinë nga poshtërsia dhe ç’nderimi etj.
Andaj duhet kuptuar që kjo lajthitje e trishtë nga logjika racionale, haset gatise tek të gjithë kombet dhe kulturat. Prandaj duhet gjetur urtësinë që ajo të luftohet, që përfundimisht të eliminohet, ndërsa autorët e saj, qofshin ata të mëdhenjë apo të vegjël, qofshin të shumtë apo të paktë, si zakonisht historia do t’i akomodojnë përgjithmonë, në sirtarët e analeve të saja të turpit dhe të territ të zi. Andaj duhet ditur dhe thellësisht nuhatur, sepse armiku përpara portës, nuk është edhe aq i fuqishëm për të arritur qëllimin e tij, sepse parulla e tij e shkruar, është e ngritur për ta parë e gjithë bota! Tradhëtari i vërtetë është ai që sillet vërdallë në mesin tonë!
Ai është përbrenda kështjellës! Ai është tinzar, përshpërit, zgurdullon sytë për 360 shkallë, për të regjistruar gjithçka! Sytë dhe mendja e tij janë gjetkë. Janë te Perëndia e tij, janë të kuleta dhe benefitet e tija nga pushteti që ofrojnë foteljet e komode të prestigjit dhe kapadahillëkut të skajshëm. Ata arrijnë madje të ngjiten edhe ne qarqet më të larta dhe më të sigurta ku artikulohen interesa madhore në emër të lirive dhe të drejtave të një kombi. Lirive që shiten e blehen për interesa klanore dhe oligarke. Ata janë sytë tanë të sorollatjes multidimensionale, sytë e gjarpërit që kafshon në kurth, viktimën e papregaditur! Ata janë sytë tanë. Ata jemi vetë ne!