Një grua nga Shtetet e Bashkuara ishte në respirator për javë të tëra pas infektimit me coronavirus gjersa nuk iu përgjigj përpjekjeve të mjekëve për ta zgjuar nga koma, pas së cilës familja e saj mori vendimin e vështirë për ta hequr nga një aparat që e mbante në jetë.


Familja e Bettina Lerman kishte rregulluar tashmë gjithçka për funeralin, por ditën që ata planifikuan ta hiqnin atë nga aparati, një nga mjekët e saj nga qendra mjekësore Maine në Portland i thirri ata. Bettina u zgjua nga koma.

Ajo filloi të shfaqte simptoma të coronavirusit më shumë se dy muaj më parë dhe ka qenë në respirator që nga 21 shtatori. Bëhet fjalë për një grua që vuan nga diabeti, e cila para disa vitesh pësoi një sulm në zemër dhe iu vendos një bypass i katërfisht, raporton cnn.

Ajo nuk ishte e vaksinuar, por planifikoi të vaksinohej kur u sëmurë. Gjendja e saj u përkeqësua ndërsa mjekët konfirmuan se Betina nuk pritet të shërohet.

“Ne patëm një takim familjar me zyrtarët e spitalit sepse nëna ime nuk u zgjua. Çfarëdo që bënim, atë nuk mund ta bënin të zgjohej. Ata thanë se mushkëritë e saj ishin shkatërruar plotësisht”, tha djali i Bettinas.

Kanë kaluar rreth tre javë që kur Bettina u zgjua më 29 tetor dhe një zëdhënëse e spitalit i tha CNN-së se ajo ishte në gjendje të rëndë.

Spitali nuk ishte në gjendje të jepte ndonjë informacion shtesë për shkak të ligjeve të privatësisë. Djali i Bettinas tha se nëna e tij nuk ka vuajtur nga dështimi i organeve dhe se askush nuk e kupton vërtetë se si po ia del kaq mirë.