A ka më qylaxhinj nga opozita për t’u bërë pjesë e qeverisë?

Shkruan: Medai Shaholli


(rrëfenjë bulevardi)

Që të vazhdojë të funksionojë një qeveri siç është ‘Severna jonë e dashur’ duhen numrat e nevojshëm me një minimum prej 61 deputetë që e mbështesinë atë dhe premierin e saj.
Qeveria Zajko 2 thotë vazhdimisht se ka mbi 61 deputetë brenda koalicionit, ku pas ‘largimit’ të Besës nga qeveria deputetët Kastriot Rexhepi, Basri Bajrami dhe Fadil Zendeli të lëvizjes xhonturke Besa thonë gojët e liga se nuk janë larguar nga ky koalicion, por veç kryetari dhe sekretarit ndërsa ata si deputetë kanë ngelur brenda bordellos qeveritare.

Nga ana tjetër, alternantët e Afrimllarit bëjnë sikur nuk duan të hynë në bordellon qeveritare dhe po i bëjnë ca naze premierit Zajko në dorëheqje, ku po qëndrojnë ‘të qetë para stuhisë’ dhe presin vetëm momentin për t’ia ‘fërshëllyer’ nga opozita e trumhasur dhe e shpartalluar drejt karrigeve dhe kolltuqeve të qeverisë.
Hezitim i momentit nga ana e alternantëve është i kuptueshëm dhe se është vetëm çështje kohe ‘martesa për interes’ për mos t’u turpëruar para elektoratit të saj, sepse deri të enjten mbrëma deputetët e Alternativës donin t’i bënin gropën qeverisë Zajko dhe tani s’ka kuptim që të shtunën të pranonin ‘shkuesin’ që do t’i kërkonte ‘dorën çupës Alternativa’ për t’u ‘martuar’ me koalicionin e qeverisë Zajko 3 apo të ndonjë qeverie tjetër Dimitrov1!

Konkluzioni i gjithë kësaj sherrnaje politike të kapjes apo të rrëzimit të qeverisë është se ka në fund ka fitues edhe humbës të garës për pushtet politik, si në bllokun shqiptar ashtu edhe në bllokun sllavo-maqedon.
Në njërën anë qëndron Zajko si fitimtar me mbështetjen e integristëve të Ali Ahmetit, duke i konsoliduar radhët edhe pse ka humbur zgjedhjet lokale, por ka ditur t’i mbaj penjët në pushtetin qendror dhe në anën tjetër qëndrojnë humbësit dhe të dështuarit e kësaj gare për pushtet si Micko, Bili dhe Zeadini.

Mbase radhën tjetër opozita nuk do të ngarrit korridoreve të parlamentit me deputetë që ndërrojnë bindjet në momentin e fundit por do të mund të hartojë strategji dhe bindje sesi rrëzohet një qeveri me numra deputetësh që do ta mbajnë fjalën.