Presidentja Vjosa Osmani, sot në ditën e zgjedhjeve lokale, bëri thirrje që të gjithë qytetarët të votojnë për kualitetin e jetës, në komunat ku banojnë.


“Pavarësisht se në cilën komunë votoni, shpresoj që sërish ta dëshmojmë shpirtin tonë demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër Covid-19.”, shkroi Osmani në facebook.

Presidentja do të votojë në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, në orën 11:00.

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021 përmban 1 milionë e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues, të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.