SHQIPTARËT DUAN ARTIN E THJESHTË

Teuta Lagja, piktore


Teuta Lagja pikturën e pati pasion që në moshë të hershme, ndonëse shkollimet i mori ne degën e mësuesisë, pra larg dëshirës për art. Arsyet e mosarsimimit për art ishin të ndryshme, por kryesisht kishin të bënin me situatën e trazuar në fillim të demokracisë në Shqipëri. Ajo vazhdoi pikturën me stilin autodidakt dhe në vitin 1997 hap ekspozitën e parë në bashkëpunim me dy artistë të tjerë. Në vitin 2000 fitoi çmimin e parë në një konkurs pikture nga Shoqata Labeat Kult. Gjatë pandemisë ishte shumë aktive dhe më 4 shtator të këtij viti çeli ekspozitën personale të titulluar “Luleborë”.

HEJZA: Ngjyra të tollovitura në pëlhurë, pak dritë, pak hije! Është ky stacioni i fundit i pikturimit modern?

TEUTA LAGJA: Jo gjithmonë.

HEJZA: Çdo stil në art ka filozofinë dhe epokën e vet të emërtuar! Në ç’epoka mund ta kërkojmë artin e sotshëm konteporan! Çka po pikturohet sot në botë? Çfarë piktura po pëlqehen e çfarë po ekspozohen?

TEUTA LAGJA: Meqë njerëzit jepen pas sipërfaqësores dhe arti ka derivuar aty sa të pëlqehet veç nga një përzierje ngjyrash të çoroditura. Po pëlqehen piktura pa kuptim (në pergjithësi them) dhe quhet art çdo lloj fantazie pa kuptim.

HEJZA: A kemi shkollë autoktone të artit pamor, jo vetëm si disiplinë akademike! A kemi artistë të mëdhenj për të cilët duhet të investojë shoqëria jonë? Sa investojmë ne për të nxjerrë sot një Zef Kolombi, Kolë Idromeno, Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Adm Kastrati, Omer Kaleshi etj.

TEUTA LAGJA: Ne kemi shkolle arti dhe kemi artistë të mëdhenj, por investimi mbi ta është i vogël. Duke qenë se sot media vizuale dhe interneti luan rol te madh, artistëve më të mëdhenj u mungon ekspozimi në faqet botërore. Më tepër sukses kanë të rinjtë që ia dinë teknologjisë dhe dine tëfuten kudo. Mungojnë agjentët e artit dhe një shkollë e mirëfilltë për këtë profesion. Ne nuk kemi kohën e mjaftuar edhe për të punuar, edhe për të reklamuar punën tonë.

HEJZA: Ekspozitat sezonale të punimeve artistike, a do të ndikonin në krijimin e një tradite për blerjen e këtyre veprave nga shkollat tona, nga dikasteret qeveritare, nga ndërmarrjet tona, nga kazermat, nga institucionet nacionale, nga individë-koleksionistë të ndryshëm!

TEUTA LAGJA: Ekspozitat sezonale do ndihmonin në ngritjen artistike të çdo artisti e artit në përgjithësi dhe do edukonin ndjenjën e dashurisë ndaj artit te kushdo, por nuk besoj se institucionet do blinin gjë.

HEJZA: Pse një piktor produktiv shqiptar që jeton jashtë atdheut mund të jetë me famë botërore, kurse në vendin e origjinës së vet mund të njihet nga tre-katër persona të të njëjtës fushë! I ka fajet “atdheu” apo piktura!

TEUTA LAGJA: Kultura e njohjes se artit te ne është e vakët mendoj. Pastaj shqiptarët nuk pëlqejnë piktura moderne pa sens, ata duan artin e thjeshtë. Është pjesë e kulturës tonë. Ndërsa jashtë ky lloj arti kuptohet dhe vlerësohet më shumë. Pra nuk mendoj se ka faj as atdheu as piktura, është thjesht çështje parimesh.

HEJZA: Po të ishit pushtet, cili do të ishte raporti i juaj ndaj kulturës e, në veçanti, ndaj artit figurativ! Shqiptarët tashmë kanë provuar të drejtohen edhe prej persona nga sfera e artit figurativ, por edhe nga letërsia. Çka i dhanë nga kultura pushtetit e çka nga pushteti kulturës?

TEUTA LAGJA: Kultura i dha pushtetit drejtues të ndryshëm, por e kundërta nuk ndodhi. Secili artist që mori një post harroi se kishte qenë artist e pak investoi në këtë fushë. Po të kisha pushtet do ta ngrija artin në nivel më të lartë, duke investuar në panaire e ekspozita mbarëkombëtare. Në investim e dhënie ndihmë artistëve, duke i mbështetur ata dhe financiarisht ose duke u ofruar studio, ose klube arti ku mund të bashkohen, të punojnë e këmbejnë ide.