Qytetarët shqiptarë duket se kanë rritur ndjeshëm konsumin e kafes, cigares, birrës dhe karburantit. Të dhënat më të fundit të doganave, tregojnë një rritje të ndjeshme të importit të mallrave të akcizës gjatë 9 mujorit të parë të vitit.


Ndikim të rëndësishëm ka dhënë hapja e ekonomisë gjatë këtij vitit, pas masave drastike ndaj bizneseve dhe kryesisht bareve e restoranteve gjatë vitit të kaluar, sezoni turistik, si dhe ardhja e emigrantëve apo turistëve të huaj, për shkak se vendi ynë nuk aplikoi masa kufizuese anticovid. Kështu, janë importuar 6623 ton kafe, shifër kjo dukshëm më e lartë se e vitit të kaluar, por edhe e vitit 2019.

Ndërkaq, janë importuar mbi 38 milionë litra birrë, duke vendosur rekord në 5 vitet e fundit sa i takon konsumit të këtij produkti. Qytetarët shqiptarë duket se me rihapjen e ekonomisë, rrjedhimisht edhe të bareve, kanë rritur ndjeshëm konsumin e cigareve, ku në 9 muaj janë importuar 2145 ton. Sa i takon importit të karburantit, regjistrohet sasia më e lartë në 5 vitet e fundit, në mbi 461 mijë ton.

Karburantet dhe cigaret mbajnë edhe vendet e para në renditjen e të ardhurave të doganave sipas mallrave kryesore. Karburantet përbëjnë 24.1% të të ardhurave, me vlerë prej 30 miliardë lekësh, ndjekur nga cigaret me 13.2 për qind dhe të ardhura në 17.9 miliardë lekë për Janar-Shtator 2021