Pas deklaratës tregjet e gazit natyror në Britaninë e Madhe dhe Evropë pësuan ulje.


Tregjet e gazit kanë pësuar luhatje pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi i tij është i gatshëm të stabilizojë çmimet globale të energjisë. Rritja e çmimeve kërcënon të ulë aktivitetin industrial dhe të rrisë në mënyrë të theksuar inflacionin.

Çmimet e gazit natyror në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë pësuan një rritje gati 10-fish që nga fillimi i vitit. Por çmimet ranë menjëherë pasi Putin deklaroi se kompania monopol e eksportit të gazit e mbështetur nga shteti rus, Gazpromi, mund të rrisë furnizimin me gaz në Evropë për të shmangur një krizë shkatërrimtare energjie. Këto deklarata të presidentit rus vijnë për të shmangur kritikat nga Evropa se Rusia po i ndal furnizimet ndërsa pret miratimin për gazsjellësin e ri të diskutueshëm Nord Stream 2.

Prodhimi i brendshëm i gazit në Evropë ka rënë ndjeshëm, ndërsa kërkesa në Azi është rritur pasi vendet gjithnjë e më shumë kërkojnë një alternativë ndaj qymyrit shumë ndotës, duke krijuar një luftë ofertash për ngarkesat e gazit natyror .

Evropa po vuan gjithashtu nga çmimet shumë të larta të energjisë elektrike si rezultat i rritjes së kostove të energjisë. Ndërsa bashkimi evropian me herët deklaroi se do te rishikoje tregun e energjisë në rajon dhe do të marrë parasysh ndryshimet në rregullore.