Nga sot fillon skriningu i nxënësve në Tetovë

Skriningu apo verifikimi nëse në mesin e nxënësve është i pranishëm Covid 19, por pa simptome, prej sot (e hënë) pritet që edhe në Tetovë të fillojë në shkollat fillore dhe të mesme. Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sketorit për Arsim në Komunën e Tetovës thekson se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që ky proces të fillojë dhe të përfundojë pa problem në Komunën e Tetovës. “Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Në këtë periudhë deri më tani është përgatitur lisat dhe janë marrë pëlqimet edhe nga prindërit që kur të fillojë procesi i skriningut, i paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë, që të realizohet pa ngecje. Për arsimin fillor në të gjitha shkollat fillore të Tetovës janë paraparë që të përfshihen 224 nxënës,kurse tek arsimi i mesëm janë 220 nxënës. Jemi në pritje të konfirmimit të datave, dhe janë bërë përgatitjet e nevojshme, dhe kur do vijnë ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ky proces do të realizohet pa ngecje. Nga komunikimet që kemi patur me këto dy ministri, ky proces do të fillojë dhe do të përfundojë javën që vjen”, tha Ahmed Qazimi.