Në UT u mbajtën garat ndërkombëtare për kualitet të mjaltit “Tetovo Honey Awards”

Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Shoqatat Qyteti i Bletëve dhe Mjalti i Pollogut, organizuan garat III ndërkombëtare për vlerësimin e kualitetit të mjaltit “Tetovo Honey Awards 2021”.

Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, deklaroi se Universiteti ynë dhe Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit gjithmonë janë përkrahës të këtyre aktiviteteve, të cilat kanë të bëjnë me çështjen e problemeve të ushqimit në vendin tonë. “Bëhet fjalë për një aktivitet i cili kalon në disa faza: faza e parë ka të bëjë me analizat organoleptike, ndërsa faza e dytë ka të bëjë me analizat laboratorike, të cilat do të bëhen në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. Duhet të theksojmë se komisioni vlerësues i fazës së parë numëron anëtarë jo vetëm nga vendi, por edhe nga arena ndërkombëtare. I falënderojmë të gjithë ata që i përkrahin këto aktivitete, sepse bëhet fjalë për çështje të ushqimit, ndërkaq kohëve të fundit kemi probleme serioze të ushqimit. Ne si fakultet bashkë me shoqatat mundohemi aq sa kemi mundësi ta përmirësojmë cilësinë e ushqimit në vendin tonë ” tha Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi.

Kryetari i shoqatës Qyteti i Bletëve, z. Driton Dikena ndihet i kënaqur me faktin se aktivitetet e këtilla e kanë rritur cilësinë e mjaltit dhe kanë ndikuar në edukimin e bletarëve dhe konsumatorëve.

“Qëllimi gjithsesi është të prodhojmë mjaltë me kualitet por edhe ta promovojmë atë si një vlerë e shtuar për të zhvilluar viset rurale të vendeve tona. Qëllimi i garave nuk është që bletari vetëm të marrë medalje, qëllimi i garave është që të edukohen bletarët në përgjithësi, që të provojnë kualitet të mjaltit. Nëse bëjmë një krahasim të pjesëmarrësve në vitin e parë dhe pjesëmarrësve në vitin e tretë, do të shohim se bletarët tashmë kanë punuar për të rritur kualitetin, por njëkohësisht edhe për ta prezantuar produktin si kualitet për arsye se janë dy prizma që duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të pasur sukses në treg. Ka një përmirësim të dukshëm, aktiviteti luan një rol shumë të rëndësishëm edhe për edukimin e bletarëve, mirëpo njëkohësisht edhe për edukimin e konsumatorëve, të dinë se çfarë është mjalti dhe ku duhet të drejtohen për të marrë mjaltin” theksoi kryetari i shoqatës Qyteti i Bletëve, z. Driton Dikena.

Në këtë garë morën pjesë 350 bletarë nga 22 vende të ndryshme, jo vetëm nga vendi, por edhe nga rajoni, shtetet e Evropës Perëndimore, nga SHBA-të dhe Australia.

Garat ndërkombëtare për kualitet të mjaltit “Tetovo Honey Awards” do të përfshijnë edhe ndarjen e disa çmimeve, si: medalje e artë; medalje e argjendtë; medalje e bronzit dhe çmimin “Bleta e artë”. Analizat organoleptike të mjaltit do të bëhen sot, më 23 tetor, kurse analizat laboratorike do të bëhen kah mesi i nëntorit dhe do të zgjasin rreth dy javë.