KONTROLLI I BRENDSHËM S`KA KONSTATUAR SHKELJE NË PRILEP

VMRO-DPMNE-ja thotë se struktura parapolicore sikurse ajo në Prilep janë formuar edhe në Manastir, Ohër dhe Koçanë. Sipas opozitës maqedonase, pushteti po keqpërdor Njësinë për detyra speciale duke shtruar pyetjen se cili është roli i tyre në Ohër, Manastir dhe Koçanë? VMRO-DPMNE thotë se për këto veprime do t`I njoftojë përfaqësuesit ndërkombëtar në vend.

VMRO-DPMNE

“Grupe të njerëzve të besueshëm nga Njësia për Intervenime, para dy ditëve janë dërguar me veshje civile dhe makina private të MPB-së në Koçanë dhe Ohër, derisa dy grupe janë në Manastir, me qëllim që t`u ndihmojnë strukturave parapolicore partiake gjatë terrorit dhe korruptimit të popullatës. Situata në Manastir është e njëjtë si në Prilep, ku përmes viber-grupeve po jepen kahje për ndjekje, maltretime të atyre që mendojnë ndryshe”

MPB-ja ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se po përhap dezinformata. Sipas policisë kontrolli I brendshëm ka bërë hetimet e nevojshme për rastin e Prilepit dhe ka konstatuar se nuk qëndrojnë akuzat e opozitës maqedonase.

TONI ANGELOVSKI – ZËDHËNËS I MPB-së

“Në Stacionin Policor – Prilep, Shtabin Ndihmës Operativ dhe Shtabin Operativ Republikan- Zgjedhjet Lokale 2021, nuk ka të regjistruar kallëzime nga qytetarë apo subjekte juridike se në periudhën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve nga ana e zyrtarëve policor gjatë ndërmarrjes së veprimeve zyrtare është vepruar në mënyrë të jashtëligjshme ose joprofesionale, ashtu sic është potencuar në press-konferencën e VMRO-DPMNE-së. Në ditën e Zgjedhjeve, në Prilep, asnjë makinë nuk është dërguar për kontroll teknik, e as që janë shqiptuar sanksione për shkelje në trafik”

MPB-ja ka bërë thirrje që VMRO-DPMNE-ja të ndalojë me përhapjen e dezinformatave kurse qytetarët lirshëm ta shprehin vullnetin e tyre në rrethin e dytë të zgjedhjeve./KlanMacedonia