Mësohen arsyet përse Murinjo fali shqiptarin te Roma

Pas përjashtimit të rezervave në ndeshjen e së dielës së kaluar ndaj Napolit, trajneri portugez, Hoze Murinjo, ka vendosur të mos thërrasë Vilarin, Diavara-n, Rejnolds-in dhe Borha Majoral-in, për ndeshjen jashtë fushe, në Kaliari. I vetmi i thirrur nga “të përjashtuarit” e të dielës së kaluar është Marash Kumbulla.


Ka më shumë arsye për rikthimin e tij në ekipin e parë dhe grumbullimin për transfertën ndaj Kaliarit. E para është më logjike, sepse pa Smalling-un, shqiptari është i vetmi qendërmbrojtës në dispozicion të Romës. Mançini dhe Ibanez, u lënduan gjatë ndeshjes kundër Napolit dhe Mou nuk kishte asnjë qendërmbrojtës në dispozicion. Kështu, trajneri e riktheu Kumbullën në mënyrë inteligjente në grup, për të pasur të paktën një alternativë në stol, duke ditur mungesën e Smalling deri pas kualifikueseve të kombëtareve në nëntor.

Arsyeja e dytë lidhet me sjelljen e Kumbullës. Ai i kërkoi falje skuadrës dhe trajnerit për paraqitjen. Një “mea culpa” që vijoi më pas në rrjetet sociale, me një postim të publikuar dy ditë më parë:

“Nga gabimet mëson. Pak fjalë, shumë punë! Para Roma”. Një mesazh i vlerësuar veçanërisht nga tifozët e Romës dhe shokët e tij të skuadrës.