Nga Skënder Sadri KAPITI


Politika shqiptare duhet të dekriminalizohet, duhet të dekorruptohet, pra duhet të ndalojë që të mos kandidojnë për deputetë e për ministra e as për drejtorë e funksionarë shteti individë injorantë dhe me rekorde krimi, hjajnije e korrupsioni.

Ky është VETING-u politik që duhet ta bëjnë të gjitha partitë politike shqiptare së pari, si dhe votuesit shqiptar me votën e tyre.

Këtë po e bën Lulzim Basha në Partinë Demokratike i cili e përjashtoi me shumë të drejtë deputetin Berisha nga Grupi Parlamentar pas shpalljes së këtij të fundit “non grata” nga SHBA.

Shqipëria ka nevojë sot për një opozitë të vërtetë demokratike, për një lidership të saj të pastër,të aftë e të sinqertë para popullit por edhe besnik e të sinqertë edhe ndaj SHBA-ve; për një lidership të lirë e të pashtërnguar as nga e kaluara komuniste.

Shqipërisë dhe Partisë Demokratike i duhet një lidership pa mëkate korruptive dhe pa individë që e kanë bllokuar e penguar demokracinë dhe VETING-un në drejtësi.

Pikërisht, sot Partia Demokratike me Bashën kryetar të saj, dhe me bashkëpunëtorët rreth tij si Duma, Tabaku, Alibeaj , Bardhi etj., janë zgjedhja më e mirë te të cilët është shpresa e besimi se PD do të ripërtërihet e ringrihet fuqishëm për të dalë nga hullia e tranzicionit ku e futën dhe përpiqen ta mbajnë akoma Berisha me ata të tijët si Noka, Nishani, Topalli, Vokshi, Patozi, Imami, Paloka, Bylykbashi, Bode, Rusmajli, Halimi, Shehu, Pollo etj., pra me disa ish deputetë por edhe me ca deputetë të sotëm, ishfunksionarë të qeverisë Berisha dhe ishaleatët e pushtetit të tij si Mediu e sidodomos Ilir Meta.

Këta janë ata të cilët duan që ta kenë PD-së strehë për të qenë të sigurtë si deputetë të përjetshëm. Duhet pastruar PD-ja nga vjetersirat korruptive, nga ata të cilët e duan PD-në si mburojë politike të korrupsionit të tyre; duhet pastruar nga këta dhe të tjerët si këta pasi prej tyre i erdhi PD-së humbja e madhe në vitin 2013 dhe 2017 dhe po këta që me heshtje djallëzore e me veprimtari të hapur por edhe tinëzare e kanë sabotuar dhe penguar sa mundën fitoren e PD-së duke i shërbyer pushtetit të Edi Ramës edhe në vitin 2021

Dhe po këta pa pikë turpi mundohen që ta fajësojnë Bashën për të gjitha ato dhe për gjithcka që ata vetë i kanë bërë dëm të Partisë Demokratike dhe po këta nuk donin fitoren e PD -së me Bashën në krye të saj, dhe nuk e donin Bashën Kryeministër.

Këta donin humbjen e Bashës që më pastaj ta merrnin këta lidershipin e PD-së.

Kjo po duket dhe këtë e verteton fakti sot, ku kjo fundërri politike e PD- së shumë herë më shumë po bën opozitë kundër Bashës se sa kur pushtetit të votave të blera të Edi Ramës, ndaj të cilit vetëm formalisht sillen kundër sa për mashtrim publik.

Këta po organizojnë e foltojnë nëpër salla të mbyllura e që po organizojnë si Lenini në kasolle “revolulcionin” korruptiv për të ruajtur e rifituar privilegjet e tyre. Interesaxhinjtë , spekulantët dhe klanet në PD, ata të cilët e kanë shfrytëzuar dhe përfituar, pra ata të cilët e kanë vjelur PD-në janë bërë si hijena politike dhe i janë turrur Bashës për ta larguar si Kryetar legjitim të PD-së.

Madje ata kanë marrë mbi supe edhe flamurin e antiamerikanizmit si dikur regjimi komunist i Hoxhës.

Shikoni se sa mjeranë e të dështuar janë ata. Berisha nëpër ato foltore sajon e trillon shpifje të tipit të fletë rrufeve kundër Bashës, sepse ai nuk ka dhe nuk paraqet asnjë arsye e asnjë lloj alternative pasi atij i janë konsumuar dhe i kanë dalë bojë të gjitha gënjeshtrat,hipokrizitë e mashtrimet dhe nuk mundet që të prodhojë të tjera më,dhe as nuk mundet që të spekulojë e të bind më se ai është Partia Demokratike, se ai është “shpëtimtari” dhe ai është “fitorja” e “demokracia”. Por, përkundrazi koha ka vertetuar e faktuar të kundërtën se ai e ka përdorur PD-në për intersa personale, ai dhe pushteti i tij me këta që e mbështesin sot , ata kapën ligjin, drejtësinë, shtetin; se ai zhvilloi dhe e mbrojti korrupsionin dhe ka penguar e bllokuar demokracinë. (Lexoni deklaratën “non grata” të DASH).

Prandaj faleminderit SHBA nga ne demokratët së pari, që po na ndihmon në pastrimin e në ringritjen e PD-së, për ndarjen e saj nga tranzicioni si dhe për ardhjen në pushtet të PD-së e cila do ta ndajë njëherë e përgjithmonë dhe do ta nxjerrë Shqipërinë nga Tranzicioni i stërmundimshëm 30 vjecar.

Mirëpo duhet vepruar dhe i duhet kundërvënë kësaj ishklike prej të cilës PD mbeti në opozitë, duhet jo vetëm disa persona por duhet që deputetët dhe struktrurat e PD-së të dalin hapur e publikisht që ta demaskojnë me fakte e me të vërteta këtë grupazh që po llomotit, shpif e akuzon lidershipin aktual që u zgjodh legjitimisht e demokratikisht.

Nuk duhet të rrinë kaq indiferent dhe kaq jo aktiv e të presin vetëm SHBA-të dhe reagimin e kryetarit Basha. Duhet guxim intelektual, demokratik dhe guxim politik dhe jo vetëm për të thënë se Berishën nuk e do SHBA, por duhet të dalin në media me më guxim për të thënë ato të vërteta që e kanë gërryer prej vitesh PD-në si: autokracia, servilizmi, egoizmi, korrupsioni, përgjimi e spiunimi si dhe imponimi dhe përjashtimi i atyre të cilët kanë pasur mendimi ndryshe nga Berisha dhe klanet rreth tij.

Duhet një veprim për VETING të PD-së gjë e cila e forcon Partinë Demokratike dhe bën të mundur angazhimin e mijra të tjerëve rreth dhe në mbështetje të saj.

Një gjë duhet ta dijë Basha, atë se: numerikisht këta që të janë kundërvënë sot janë një asgjë para atij numri të madh demokratësh, mbështetësish e votuesish të PD-së që mezi kanë pritur këtë VETING të Partisë Demokratike dhe që do të vijnë e të aktivizohen fort në PD. Kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit të 25 Prillit 2021, ku pavarësisht “indiferencës “ djallëzore antiPD të këtyre dështakëve dhe pavarësisht blerjes së votave nga pushteti, PD-ja mori një rezultat të jashtëzakonshëm.