Kaloi rinia, po ikën beqaria, pa nuse te shtëpia

Gjekë Gjonaj
Gjatë një vizite që i bëra kohë më parë një mikut tim më shprehu
shqetësimin e tij të madh se nuk po i martohet djali i cili i ka afruar të
pesëdhjetat. “ Vitet po kalojnë. Unë dhe bashkëshortja po plakemi. Me
pa durim po presim një nuse në shtëpi. Të lumturohet djali ynë, por
edhe të ketë kush të kujdeset për ne, sepse na ka rënduar pleqëria.
Gëzim më të madh për ne nuk do të kishte sesa djali ynë të martohej e
të krijonte familjen. Por, nuk po bindet edhe pse, për mendimin tim, i ka
kushtet ekonomike për martesë. Është i arsimuar. Ka kryer fakultetin.
Është në marrëdhënie pune. Pagat mujore i ka të mira. I arrirë edhe në
karrierë. Dhe, vazhdon të jetë beqar. Kjo pritje e tij kaq e gjatë për të
gjetur partneren e jetës na ka goditur fort ne prindërve. Aq sa nuk kemi
qetësi e rehati as ditën as natën” më thotë miku im i përlotur.
Jemi në shekullin XXI. Tani , siç po e përjetoni edhe ju vetë, çdo gjë ka
ndryshuar. Asgjë nuk është si më parë. Pra, as martesa. Edhe ne
shqiptarët kemi vendosur që t’i themi jo traditave të vjetra të kërkimit
të dorës për partnerë siç ndodhte tradicionalisht. Martesa pas të 30-tave
është bërë një tendencë gjithnjë e më shumë në rritje edhe tek ne
shqiptarët”, iu përgjigja, duke e ngushëlluar atë.
Rrëfime të ngjashme të vonesës së martesës të këtij burri intelektual
mund të dëgjosh në shumë familje shqiptare në Mal të Zi, në fshatra e
në qytete. Tani , pas gjysmë shekulli, termi martesë është vjetruar.
Çiftet po martohen më pak në ditët e sotme. Për pasojë kemi kaq shumë
beqar/e. Ka fshatra shqiptare në Malin e Zi të cilat kanë mbi 70
beqarë/e. Sikurse ka edhe të tilla fshatra që nuk ka pasur asnjë
kurorëzim për më shumë se 40 dekada, sepse ato janë boshatisur
plotësisht.


Në një bisedë gojore që kam zhvilluar miqësisht me disa beqarë e
beqaresha në Malësi dhe Ulqin për arsyet kryesore të beqarisë së tyre
kam fituar përgjigje të ndryshme, si:
– Jetoj në fshat dhe vajzat më shumë preferojnë qytetin.
– Jam i papunë. Nuk kam të ardhura të sigurta financiare.
– Unë thjesht nuk dij të josh palën tjetër.
– Me të vërtetë do të doja të gjej një partner, por nuk di si ta bëj atë.
– Më ka ngjallur frikën pandemia që ka përfshirë botën.
– Gëzoj një jetë të lirë dhe nuk kam nevojë për askënd.
– Nuk di të kuptoj kur dikush më pëlqen, por gjithashtu nuk di të
jap një sinjal interesimi.
– Dua të mbështetem tek forcat e mia.
– Kam një anëtar të familjes së moshuar për të cilin duhet të
kujdesem.
– Dua të përqendrohem tek karriera.
– Kam frikë të lë prapa krahëve emocionet e pasionet e dashurisë, e
t’u lë vendin problematikave martesore.
– Të jetuarit vetëm sjell më shumë përfitime.
– Jeta martesore është një barrë për mua.
– Dëshiroj të qëndrojë e fokusuar tek liria dhe puna ime.
– Ende nuk e takova personin e përafërt me ndjenjat e mia.

Këto dhe arsye të tjera tregojnë përse çiftet po martohen më pak dhe më
vonë. Ky fenomen jo vetëm tek shqiptarët, por tashmë global është lajm
i keq, të paktën për ata që ende besojnë se martesat dhe familja e
shëndetshme formojnë themelet e një shoqërie të civilizuar. Familjet e
lumtura rrisin fëmijë të lumtur.
Edhe Ati i Shenjtë, Papa Fraçesku kohë më parë, përmes një video
mesazhit të publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, në
bashkëpunim me Dikasterin Vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën,
ka thënë se martesa është gjë e bukur, duhet durim, por ia vlen. “Ia vlen
të rrezikosh”: pavarësisht se martesa është “udhëtim impenjativ,
nganjëherë i vështirë, nganjëherë edhe konfliktual”, “të martohesh e ta
ndash jetën me dikë është gjë e bukur”. Papa Françesku përmes kësaj
porosi dëshiron t’i inkurajojë të rinjtë ta ndërmarrin këtë udhëtim “për
gjithë jetën”, në të cilin ka një aspekt qendror: dhëndri dhe nusja nuk
janë vetëm, sepse “Jezusi i shoqëron”. “A është e vërtetë ajo, që thotë
dikush, se të rinjtë nuk duan të martohen, veçanërisht në këto kohë të
vështira?”, pyet Papa, i vetëdijshëm për problemet dhe ndërlikimet e
lidhura edhe me pandeminë. “Martesa – thekson ai – nuk është vetëm akt
shoqëror: është thirrje që vjen nga zemra, është vendim i vetëdijshëm
për gjithë jetën e kërkon përgatitje të veçantë”. Për këtë arsye, është i
rëndësishëm shoqërimi i çiftit nga ana e krejt bashkësisë së krishterë:
“Ju lutem mos e harroni kurrë! Zoti ka një ëndërr për ne, dashurinë e, na
kërkon ta bëjmë tonën. Le ta bëjmë tonën dashurinë, që është ëndrra e
Zotit. E, të lutemi për të rinjtë, që përgatiten për martesë me
mbështetjen e bashkësisë së krishterë: që ata të rriten në dashuri, me
bujari, besnikëri e durim. Sepse për të dashur duhet shumë durim. Por ia
vlen”, është shprehur Papa Fraçesku