Historiania bullgare Prof. Dr. Mariyana Stamova, njëherit edhe hulumtuese dhe anëtare në Institutin
e Studimeve Ballkanike dhe Qendrën e Trakologjisë (Akademia e Shkencave e Bullgarisë), e
vizitoi Universitetin e Tetovës dhe Qendrën për paqe dhe komunikim transkultutor.
Në UT historiania e njohur bullgare u prit nga udhëheqësja e Qendrës për paqe dhe komunikim
transkulturor Mr. Sc. Donika Kamberi. Në këtë takim pune u bisedua për shumë tema me interes të
përbashkët mes dy institucioneve dhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me projekte
konkrete për programe studimore të përbashkëta dhe shkëmbim të stafit dhe studentëve për
hulumtim shkencor.
Me veprimtarinë e saj shkencore historiania bullgare Prof. Dr. Mariyana Stamova është e njohur jo
vetëm lexuesin bullgar por edhe për popujt e rajonit e në veçanti për lexuesin shqiptar pasi ka
botuar dy tituj me rëndësi historike dhe shkencore, si: “Faktori shqiptar në Republikën Socialiste të
Maqedonisë (1945-1981)” dhe “Shqiptarët në Republikën Socialiste të Maqedonisë gjatë dekadës së
fundit të Jugosllavisë së Titos (1981-1991)”, tituj të cilët ia dhuroi Universitetit të Tetovës.
Mr. Sc. Donika Kamberi e falënderoi historianen për përkushtimin e saj të vazhdueshëm për
çështjen shqiptare dhe tha se është thellësisht mirënjohëse për gatishmërinë për bashkëpunim të
ndërsjellë në të ardhmen.
Në përfundim të takimit, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi historianes iu dhuruan disa botime
të Universitetit, revista shkencore dhe portreti nobelistes shqiptare – Nënë Terezës. Vizita e saj në
UT pritet t’i hapë rrugë nënshkrimit të një memorandumi për bashkëpunim institucional në lëmin e
kërkimit shkencor dhe veprimtari të tjera të rëndësishme.