E BUKURA DHE E SHËMTUEMJA S’EKZISTOJNË PA NJËNA-TJETRËN

ROZAFA SHPUZA, poete dhe fotografe


E BUKRA DHE E SHËMTUEMJA S’EKZISTOJNË PA NJËNA-TJETRËN

Rozafa Shpuza është lindur në qytetin e Shkodrës, ku më 1856 Pjetër Marubi hapi studion e parë fotografike shqiptare dhe ballkanike, ndaj ajo beson me shpirt se është e bekuar qysh në ngjizje me artin e bukur të fotografisë dhe me balsamin e apostujve të poezisë gege. Pasi përfundon me rezultate të shkëlqyeshme studimet e larta për Gjuhë- Letërsi, shkon në Tiranë, ku aktualisht punon si redaktore në sektorin e botimeve të Parlamentit shqiptar. Rozafa merret me poezi dhe fotografi. Lidhjet e saja me poezinë dhe fotografinë janë të hershme dhe mund të pohojmë pa droje se kanë ardhur vit pas viti duke u bë ma të ndishme dhe intensive. Rozafa boton së pari “Kohë ikonash” me proza poetike, që pasohet me “Anipse”, “Grizhlat” dhe “Nana i qindiste kryq dimnat” me poezi në gegërisht. E veçanta e krijimtarisë së Rozafës është se poezitë kanë një lidhje të pashmangshme me fotografitë që ajo shkrepë. Ka kohë që ka hapur në Shkodër një galeri arti, që është një Odë mikpritëse për artistët kudo në botë.

HEJZA: Ku ta gjejmë kufirin mes artit dhe reprodukimit në fotografi?

SHPUZA: Sikur të ekzistonin kufijtë, nuk do të kishte ma art. Kurrë nuk e mendoj artin, kësisoj edhe fotografinë që asht kahu ma i brishtë i tij, të ndamë me kufij. Fotografia fikson nji çast, por s’duhet me harrue se në atë shkrepje janë të ngjizuna drita, shpirti, emocioni që përcjell personazhi apo objekti në çastin e përjetësimit. Si mund të quhet art nji fotografi, kur duhet me e spjegue me fjalë? Fotografia flet me heshtje, me kontraste dritëhijesh, me mbivendosje ndjesish, me aftësinë e fotografit për me fiksue diçka që të tjerëve u ka kalue pa e vu re. Në këtë botë kaq konfuze asht bekim që ekziston arti i bukur i fotografisë. Sa e varfër kishte me kenë kjo botë pa fotografinë!!!

HEJZA: Cila është bota e fotografit në çastin e shkrepjes së aparatit para të bukurës?

SHPUZA: Ekzistojnë disa ndjesi që nuk mund të shpjegohen me fjalë. Ato janë pjesë e qenies, anipse shfaqen spontanisht pa pasë nevojë për miratimin e artistit. Para së bukurës hapat ndalen, aparati mbështetet në mollzën e faqes, syni ngjeshet në atë ditarezen që ta përcjell vështrimin tutje dhe fryma ndalet. Çak… dhe ajo bukuri përjetësohet, tue u ba pasuni në arkivin e fotografit. Fotografi shkrepë aparatin për me mbushë shpirtin, pa mendue për fatin e asaj fotografie dhe kjo asht bota e tij, pa ma të voglin kompromis.

HEJZA: E shëmtuara si kryevepër! Sa është provokues ky fenomen estetik te fotografët?

SHPUZA: E bukra dhe e shëmtuemja janë dy dukuri estetike që s’mund të ekzistojnë pa njëna-tjetrën dhe s’mbahet mend qysh kur njerëzimi kalamendet në këtë vorbull, pa ditë me përcaktue saktë se ku fillon njena e ku mbaron tjetra. Viktor Hygo e ka cilësue shëmtinë si nji detaj i nji të tane të madhe, e cila na ikën, s’mund ta rrokim, dhe që asht në harmoni, jo me njeriun, por me të gjithë krijimin. Kësisoj artistët s’rreshtin tue u rrekë me rrokë të shëmtuemen për me e kthye në kryevepër. Besoj se kur janë ma të diskutueshme, dukuritë estetike bahen ma atraktive dhe ma të pëlqyemet nga artistët për me i ba pjesë të artit të tyne.

HEJZA: Si duket sot bota e fotografisë artistike. Kah po shkon ajo?

SHPUZA: Kam ndjesinë se bota e fotografisë po popullohet përditë e ma shumë me adhurues të fotografisë. Rrallë gjen një person që nuk ban fotografi me celularin e vet. Pra, sot fotografia asht arti ma afër njerëzve, ma i perceptueshmi dhe ma i pëlqyeshmi. Lëvrimi i fotografisë artistike ka marrë nji hov të papamë, kjo ndoshta edhe falë zhvillimeve marramendëse të teknologjisë, por, thellë- thellë, kam bindjen se fotografia artistike ka nevojë për shpirt e jo për teknologji.

HEJZA: Në historinë e fotografisë artistike fotografët shqiptarë zënë vend jashtëzakonisht të meritueshëm.

SHPUZA: Unë jam shkodrane, kësisoj veç me përmendë Marubin i kam thanë tana, kështu që nuk po zgjatem ma shumë në këtë përgjigje, pasi mendoj se fama marubiane asht e padiskutueshme.

HEJZA: Ku janë sot fotografët shqiptarë? Sa janë të përkushtuar pas këtij pas këtij pasioni. Ku është sot fotografia shqiptare?

SHPUZA: Kur vjen puna te statistikat, unë nuk e ndjej vedin të aftë me dhanë përgjigje të sakta, mirëpo, e tham me bindje, se fotografët shqiptarë zajnë një vend të merituem në artin e fotografisë botnore. Kurgja nuk po bajnë politikat shtetnore për nxitjen apo përkrahjen e artistëve. Fotografia shqiptare ekziston vetëm falë pasionit të individëve. Për me kenë ma realiste, po ju rrëfej se unë kam hapë një galeri arti në Shkodër, ku, përveç ekspozita personale të fotografëve, çdo vit të ri organizoj një ekspozitë fotografie me fotografët shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Janë fotografë të mirënjohun, të talentuem, të apasionuem mbas artit të bukur të fotografisë dhe vëmendja e publikut artdashës asht e padiskutueshme. Kur artdashësit magjepsen nga fotografia jote, kjo asht përgjigja ma e mirë për çdo artist…