“Mbështetje pa mëdyshje për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor” dhe “përkushtim ndaj procesit të zgjerimit” – kjo është mënyra se si Bashkimi Evropian (BE) formuloi qëndrimin e tij ndaj Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.


Në deklaratën e nënshkruar në samitin “Bashkimit Evropian – Ballkani Perëndimor”, më 6 tetor në Slloveni, u konfirmua se integrimi evropian është “interes dhe zgjedhje e përbashkët strategjike”, ndërkaq BE-ja theksoi se do të “intensifikojë në mënyrë të shtuar angazhimin” në mënyrë që rajoni të përjetojë transformimin – politik, ekonomik dhe shoqëror.

Por datat dhe afatet janë ato që mungojnë në deklaratën, e cila ka 29 pika. Afati deri në të cilin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkohen me Bashkimin Evropian nuk është specifikuar.