Kryeministrja Ana Brnabiq deklaroi sot se vrasja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishte planifikuar prej kohësh.


“Është planifikuar prej kohësh dhe në detaje janë krijuar struktura paralele në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe një fushatë në mediat manjate, e cila sipas marrëveshjes është transmetuar edhe nga mediat në rajon”, citohet të ketë thënë Brnabiq për TV Pink, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Veç kësaj, Brnabiq ka theksuar se gjithçka që ndodhi në lidhje me përgjimin e presidentit dhe në rastin e aferës Jovanjiq ishte “për ta thënë butë, ishte një tentativë për grusht shteti”.

“E gjithë narrativa është e tillë. Mendoj se kanë dashur ta vrasin para, gjatë dhe pas hapjes së monumentit të Stefan Nemanjës, por sot më duket se është prishur ajo narrativë. Ne do të vazhdojmë hetimet dhe nuk do të ketë njerëz të mbrojtur”, tha Brnabiq, transmeton Tanjug.

Synimi i këtyre mediave, siç vlerësoi ajo, ka qenë ta “dehumanizojnë” Vuçiqin, ta bëjnë atë dhe familjen e tij klan kriminal dhe në momentin e ekzekutimit fizik të tij, të thonë “çka është e çuditshme, ai e meritonte, ishte një mafioz dhe një politikan vetëm për shfaqje publike”.

Shërbimet kompetente po bëjnë punën e tyre dhe libreza partiake, emri dhe mbiemri apo funksioni nuk do të mbrojë askënd, ka shtuar kryeministrja Ana Brnabiq.