Edhe dy ditë nga përfundimi i fushatës zgjedhore lokale, partitë po japin maksimumin e tyre për të fituar qoftë edhe një votë më tepër se kundërshtari i tyre.


Ndonëse moti nuk mbajti edhe aq mirë sa duhet ditëve të fundit, partitë politike, sidomos ato shqiptare, bënë fushatë të zjarrtë para qytetarëve, duke prezantuar më të mirën që mund ta ofrojnë dhe mund ta realizojnë.

Dy partitë opozitare të cilat kanë lidhur koalicion për zgjedhjet lokale dhe garojnë së bashku, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë vizituar pothuajse të gjitha komunat ku kanë kandidat ndërsa gjatë ditës së djeshme ishin në qytetin e Dibrës, atje ku si kandidat i tyre është Bekim Pocesta përballë Hekuran Dukës së BDI-së.

Afrim Gashi, lideri i Alternativës, para qytetarëve kërkoi besimin e tyre dhe përmes votës, t’u japin mundësinë atyre të menaxhojnë me Dibrën dhe të japin më të mirën, ndërsa nëse nuk ndodhë kjo, atëherë pas katër viteve as që do të kërkojnë mbështetje përshkak se kanë dështuar.

Por vetëm një ditë më vonë, personi shumë i afërt i vet Afrim Gashit dhe i Alternativës, takohet për një kafe miqësore me kryetarin aktual dhe kandidatin për edhe një mandat të Dibrës, Hekuran Dukën.

Për takimin mes tyre njoftoi vet kryetari i Dibrës Hekuran Duka i cili përmes një fotografie të postuar në Facebook, shkroi se “miqtë e vërtetë dalin në përkrahje atëherë kur duhet t’ju jepet forcë dhe domethënie çështjeve të rëndësishme”.

Çfarë do të thotë kjo përkrahje për Hekuran Dukën nga njeri i lartë në partinë opozitare Alternativa? Ndonëse Ismaili është edhe profesor universitar, gjithsesi kjo nuk e arsyeton statusin e Dukës ku thuhet se “miqtë e vërtetë dalin në përkrahje atëherë kur ka nevojë”.

Si qytetarët e Dibrës do t’i besojnë AFrim Gashit e koalicionit ASH/AAA kur vet anëtari i tyre i partisë Adnan Ismaili del haptazi “në përkrahje” të çështjeve të rëndësishme të Hekuran Dukës?

Edhe pse në politikë “kurrë mos thuaj kurrë”, gjithsesi, në fushatë zgjedhore kjo fotografi dhe ky status i Dukës do u prishë shumë punë koalicionit opozitar, veçanërisht në Dibër, duke patur parasysh se koalicioni po bënë “luftë” për të mposhtur BDI-në dhe Dukën e nga ana tjetër anëtarë të tyre të lartë takohen dhe japin mbështetje për kundërkandidatin e tyre të cilin duan ta largojnë nga komuna dhe nga qeverisja me qytetin e Dibrës.

Ngelet të shohim nëse do të ketë ndonjë njoftim zyrtar nga partia Alternativa lidhur me takimin mes Ismailit dhe Dukës.