Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ftoi qytetarët e kryeqytetit të dalin të votojnë për të zgjedhur të parin e Prishtinës.


Pasi votoi në qendrën e votimit në shkollën fillore “Ismail Qemali” në kryeqytet, Ismaili tha sa me padurim po pret rezultatet e sotme në kryeqytet.

“Është nder dhe privilegj me qenë një ndër kandidatët për kryetar në Prishtinë. I falënderojë gjithë qytetarët që për këto 5 muaj më ofruan mbështetje dhe më dhanë shumë dashni në këtë rrugëtimin tonë të përbashkët. E pres me padurim rezultatin e natës sotme dhe e konsideroj të rëndësishme këtë garë, prandaj ftoj të rinjtë dhe të moshuarit e Prishtinës të dalin dhe me votën tyre ta zgjedhin kryetarin e komunës. Kjo është datë me rëndësi, prandaj ftoj qytetarët të dalin dhe me votën e tyre të vendosin kush do të jetë kryetar i komunës”, tha ai.

Kandidati për kryetar të Prishtinës votoi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021 përmban 1 milionë e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues, të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.