Një ditë pas deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se institucionet e dy vendeve janë në komunikim të vazhdueshëm sa i përket ekstradimit të Afrim Ismailoviqit dhe Alil Demirit, të dy të akuzuar në rastin “Monstra”, ministri i drejtësisë Bojan Mariçiq konfirmoi se kërkesa për ekstradim mbetet ende aktive dhe pritet përgjigje e autoriteteve kosovare. Ai shpreson që ekstradimi të realizohet.


“Kemi kërkesë aktive për ekstradim. Informatat nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës janë që Gjykata Supreme e Kosovës duhet të vendosë se nëse do të bëhet ai ekstradim… Unë kam besim në gjyqësorin pasi që një pjesë e atyre rasteve janë përsëritur disa herë dhe shpresoj se do të arrijmë të realizojmë këtë ekstradim por kjo varet nga vullneti i autoriteteve të Kosovës. E vlerësoj qëndrimin e kryeministrit Kurti, por nuk mund ta komentoj më tej.”,- deklaroi ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.