Humbja shokuese e Anthony Joshuas ndaj boksierit ukrainas, Oleksandr Usyk nënkupton se vështirë që mund të ndodhë një meç për unifikimin e titujve mes Joshuas dhe Tyson Furyt.

Këtë e ka thënë sot promoter i Furyt, Frank Warren.

Joshua nuk arriti të fitonte ndaj Usyk, i cili e kishte përgatitur meçin në mënyrë perfekte dhe kështu boksieri britanik i humbi tre titujt që i mbante në stadiumin e Tottenham Hotspur.

“Nuk e shoh të ndodhë tani”, tha promoter i Furyt, Warren për BBC.

“Meçi për unifikimin e titujve ishte aty, një duel aq i madh. Shumë keq.”

Një rimeç ndaj Usyk do t’i jepte Joshuas mundësinë t’i rifitojë titujt, por Warren thotë se edhe nëse Joshua do të fitonte, nuk do të ishte meç i duhur për Furyn.

“Usyk është boksier i mire, ai boksoi jashtëzakonisht mire. Ata mund të flasin për rimeçe. Edhe nëse ai e mund Usyk, çfarë do t’i bëjë Fury Joshuas? Mund ta vendosni shtpëinë tuaj si bast për Furyn.

Fury përballet me Doentay Wilder në Las Vegas muajin e ardhshëm, pasi nënshkruan kontratë për të boksuar për herën e tretë.