Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski në një intervistë për DW tha se nuk janë prishur mardhëniet mes Qeverisë dhe Presidencës, transmeton Alsat. Këto deklarata të presidentit vijnë pasi në një intervistë për “360 Gradë” në Alsat, kreu i shtetit dha disa deklarata me ton kritik drejtuar Qeverisë pas tragjedisë në Tetovë.
“Megjithëse në disa raste kemi pasur mendime të ndryshme për disa projekte të caktuara ligjore ose për raste të shkeljes të ligjit nga zyrtarë të lartë, këto janë gjëra normale kur keni bashkëjetesë mes demokratëve. Për të qenë edhe më të saktë – për këto, gati dy vjet e gjysmë, unë kurrë nuk kam marrë ndonjë vërejtje publike ose private nga Qeveria për deklaratat dhe veprime e mia. Nuk mund të jetë ndryshe, sepse ne i kemi njohur njerëzit kryesorë në Qeveri, në krye me kryeministrin Zaev, për shumë vite dhe kemi kaluar nëpër “shumë filtra”, edhe në rrugë edhe në institucione si dhe në luftë për një jetë më të mirë”, deklaroi Pendarovski.