Martina Jaçeska 26 vjeçare nga Probishtipi, për periudhë kohore prej gjashtë muaj, në kuadër të iniciativës së saj, monitoroi zbatimin e premtimit që bëri Qeveria për hapjen e qendrave kulturore rinore – detyrim për komunat që rezulton nga zbatimi i Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore.


Përmes iniciativës së saj rinore të quajtur “HapësiraIme!” („МојПростор!“), që ka për qellim të informojë të rinjtë në lidhje me atë se çfarë janë qendrat kulturore rinore dhe se si të rinjtë mund të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e kërkimit të llogaridhënies nga Qeveria dhe përmbushjes së premtimeve të dhëna. Martina arriti të mobilizojë një grup të rinjsh me të cilët organizoi punëtori, aksione guerile dhe takime me politikanë lokal. Rezultatet fillestare tashmë janë arritur. Një shembull i tillë është komuna e Probishtipit, ku Martina bisedoi me kabinetin e kryetarit të komunës dhe Shtëpinë e kulturës për hapjen e Qendrës rinore, gjatë çka ranë dakord që njëra nga hapësirat të shndërrohet në Qendër rinore / hapësirë për aktivitete rinore. Për shkak të zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe pamundësisë për momentin të ridedikohen mjetet financiare të komunës për rinovimin dhe pajisjen e Qendrës rinore, ky proces do të finalizohet pas zgjedhjeve.

“Çdo i ri meriton një hapësirë në të cilën mund të realizojë të gjitha iniciativat e veta. Pikërisht qendrat rinore janë vendi i duhur ku ne të rinjtë mund të ndajmë ide, të punojmë në projekte të përbashkëta, një vend ku do të shprehet potenciali ynë krijues. Prandaj duhet të jemi më të zëshëm dhe të shprehim nevojat tona. Ndryshimi duhet të iniciohet nga ne, ndërsa si të rinj kemi obligim të jemi aktivë dhe të luftojmë për realizimin e qëllimeve të përbashkëta që do të na mundësojnë jetë më të mirë në komunat tona,” thotë Martina Jaçeska, iniciatore e projektit “HapësiraIme!” („МојПростор!“).

16 të rinj nga tetë rajone të ndryshme për 6 muaj monitoruan premtimet e Qeverisë të dhëna në kuadër të Programit për punën e Qeverisë 2020-2024 dhe zbatuan iniciativa inovative për rritjen e angazhimit qytetar dhe llogaridhënien publike në nivel lokal. Ata janë pjesë e gjeneratës së parë të mobilizuesve të komunitetit të mbështetur në kuadër të Projektit “Mbështetje për reformat zgjedhore”, ndërsa detyra e tyre është përmes aktiviteteve, nismave dhe kanaleve të ndryshme të informojnë dhe mobilizojnë komunitetin lokal, për të monitoruar në mënyrë aktive punën e Qeverisë dhe premtimet e realizuara. Vetëm në muajt e parë të vitit 2021, më shumë se 1.500 qytetarë u përfshinë në debate dhe punëtori në suazat e këtyre iniciativave, përkatësisht u informuan për çështje dhe zgjidhjet e mundshme në lidhe me tema të rëndësishme në nivel lokal. Aktualisht, gjenerata e dytë, që konsiston nga 24 mobilizues të komunitetit nga të gjitha rajonet zhvillimore në vend, monitorojnë në mënyrë aktive përmbushjen e premtimeve të Qeverisë dhe përmes iniciativave inovative mobilizojnë qytetarët që të kërkojnë llogari nga Qeveria për punën që është bërë.

“Qëllimi ynë është të mbështesim iniciativat lokale nga grupe të ndryshme në shoqëri, të inkurajojmë reformat në procesin zgjedhor dhe përfshirjen më të madhe të të rinjve, dhe qytetarëve në përgjithësi, në jetën politike të vendit. Duam që sa më shumë të rinj dhe qytetarë të ndërgjegjësohen se kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga institucionet dhe aktorët politikë për realizimin e plotë të premtimeve të dhëna. Të rinjtë duhet të jenë të zëshëm në kërkesat e tyre, por edhe në zbatimin e iniciativave konkrete sepse ata janë e ardhmja e këtij vendi dhe bartësit aktual të ndryshimeve. Na gëzon fakti që ky projekt, të cilin e kemi filluar vetëm dy vjet më parë, tashmë jep rezultate konkrete dhe reforma që po zbatohen. Ne, do të vazhdojmë të mbështesim në mënyrë aktive procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut dhe besojmë se ky projekt do t’ia dalë të bëjë dallimin nga i cili do të përfitojë kryesisht të gjithë qytetarët, veçanërisht të rinjtë”, thotë Joana Kozma, menaxhere e projektit.

Më shumë informacion rreth Projektit: “Mbështetje për reformat zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut” është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe ka për qëllim të mbështesë proceset zgjedhore demokratike dhe të besueshme që lehtësojnë pjesëmarrjen politike dhe integrimin social duke u mundësuar votuesve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe nga ata të kërkojnë llogaridhënie. Projekti synon forcimin e institucioneve të përfshira në procesin zgjedhor, demokratizimin e brendshëm të partive politike dhe edukimin e qytetarëve. Aktivitetet kryesisht kanë për qëllim tre grupeve të ndryshme të synuara, përkatësisht: 1) administratën zgjedhore përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të Komisionit shtetëror zgjedhor; 2) partitë politike përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të iniciativave të anëtarëve të rinj dhe aktivistëve që punojnë në projekte të destinuara për qytetarët; dhe 3) sektorin e shoqërisë civile përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të mobilizuesve të rinj në komunitet. Projekti dhjetëvjeçar që filloi në vitin 2019 zbatohet nga Fondacioni ndërkombëtar për sisteme zgjedhore (IFES) në partneritet me Këshillin rinor nacional të Maqedonisë.