Ish-kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti ka thënë se i vjen keq për shkrimin që kishte publikuar në “Facebook” e ku shkruante se Albin Kurti ose të lëshojë rrugë ose do të vritet.


“Nuk kom pyetje, më vjen keq për kryeministrin që ka ndodh, unë ma shumë e quaj një keqkuptim, për kryeministrin as s’kom pas diçka naj vërejtje”, tha i akuzuari Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim të tillë ai e ka bërë në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë dëgjimit të dëmtuarit-kryeministrit Kurti në cilësinë e dëshmitarit.

Hoti po akuzohet se përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” në dhjetor të 2019-ës, ku kishte shkruar “Albin Kurti ka dy rrugë ose ta lëshoj Kosovës ose mund të vritet”, ka kryer veprën penale të shtytjes në kryerje të veprës penale vrasja.

Paraprakisht, kryeministri Kurti është marrë në pyetje nga prokurorja e rastit Javorka Prlinçeviç dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Rasim Hoti, ku gjykimi është përcjellë me kundërshtime nga këto dy palë.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se para rastit kritik, nuk kishte dëgjuar asnjëherë për të akuzuarin Hoti.