Në rajonin e Kumanovës deri më tani në procesin e vaksinimit janë aplikuar mbi 76 mijë doza, si dozë e parë po ashtu edhe dozë e dytë. Pas ngritjes drastike të numrit të të infektuarve me virusin Korona gjatë valës së katërtë edhe në rajonin e Kumanovës është rritur dukshëm numri i të interesuarve për vaksinim. Madje rritje evidente shënohet edhe tek kategoria e moshës nga 12-18 vjeç, duke u regjistruar mbi 1.000 termine për këto mosha.


“Procesi i vaksinimit në punktin në Kumanovë po rrjedh pa ndërprerë. Deri më tani janë aplikuar mbi 76 mijë doza si dozë të parë dhe dozë të dytë. Momentalisht disponojmë me vaksinat “Pfizer”, “Sinovac” dhe “Astra Zeneca”, të cilat shfrytëzohen si dozë e parë dhe si rivaksinim. Vërejmë interes të shtuar për vaksinim tek mosha nga 12-18 vjeçare. Deri më tani në këtë punkt janë realizuar mbi një mijë termine tek këto mosha. Interesimi i qytetarëve për vaksinim vazhdon të mbetet i lartë, respektivisht kemi interes të shtuar për vaksinim dhe rivaksinim. Gjatë ditës realizohen mbi 1.000 doza të vaksinimit dhe rivaksinimit.”,- tha për TVM2 mjekja Monaliza Mehmeti.

Edhe përkundër faktit se po rritet numri i të interesuarve për vaksinimin, mjekja Monaliza Mehmeti apelon tek qytetarët që pa kurrfarë hezitimi të paraqiten për vaksinim, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të parandalojmë përhapjen e formave të rënda të këtij virusi.

“Apeloj tek të gjithë qytetarët që të vijnë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të vaksinimit, sepse vaksinimi është mënyra më e mirë për parandalimin e formave të rënda të sëmundjes dhe shpërndarjes së virusit.”,- tha mjekja Monaliza Mehmeti.

Në rajonin e Kumanovës aktualisht nga Covid-19 janë të prekur 959 qytetarë, kurse për fat të keq nga fillimi i pandemisë e deri më tani jetën e kanë humbur 414 qytetarë.