Gjykata Themelore Civile e Shkupit e ka hedhur si të pabazë padinë e
gazetës KOHA ndaj Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup
lidhur me reagimin e ITSHKSH-së me titull “Është e frikshme gjuha antisemite e gazetës KOHA”,
të datës 28 gusht 2020.
Ky vendim i Gjykatës Civile të Shkupit ka ardhur pasi që ajo i ka shoshitur argumentet e
ITSHKSH-së dhe ka konstatuar se akuza është e pabazë, njësoj si edhe kërkesa për
dëmshpërblim në lartësi prej 600 mijë denarësh.
Gazeta “Koha” nuk ia doli ta dëshmojë profesionalizmin e saj në këtë fushatë, madje asaj nuk i
ndihmuan edhe mbështetjet e qarqeve të caktuara pranë Shoqatës së Gazetarëve të
Maqedonisë.
ITSHKSH-ja konsideron se ky vendim i drejtë gjyqësor është një leksion për të gjithë ata që
parapëlqejnë shantazhin dhe njollosjen e institucioneve kredibile, siç është edhe ITSHKSH.
ITSHKSH-ja ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një mik i pakontestueshëm i mediave dhe një
ithtar i pakompromistë i të vërtetës dhe mendimit  të lirë. Përmes projekteve e ideve që kanë
për bazë hulumtimin dhe dokumentimin e ngjarjeve e proceseve historike e aktuale, ITSHKSH-ja
synon të bëhet promotore e emancipimit të mirëfilltë kulturor e civilizues të shoqërisë sonë.
ITSHKSH-ja i fton mediat të jenë sa më aktive me punën e tyre në pasqyrimin e aktiviteteve e
projekteve që i zhvillon ITSHKSH, duke i dhënë një impakt pozitiv procesit të vetëdijesimit
kolektiv të shoqërisë sonë. Për rrjedhojë, ne jemi të hapur edhe ndaj vërejtjeve e kritikave
objektive që vijnë nga opinioni publik, sepse konsiderojmë se ajri i demokracisë kalon pikërisht
nëpër tubat që përçojnë mendim ndryshe.