Franca ka marrë vendim për anulimin e festës (gala) të miqësisë SHBA-Francë që do të mbahej në Washington, pasi ajo u la jashtë nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe lidhur me blerjen e nëndetëseve nga Australia.


Ambasada e Francës në Washington njoftoi anulimin e mbrëmjes gala të miqësisë SHBA-Francë e cila do të zhvillohej sonte në rezidencën e ambasadorit Philippe Etienne.

Mbrëmja gala mbahej me qëllim për të festuar 240-vjetorin e Betejës Chesapeake që SHBA-ja e fitoi me ndihmën e forcave detare franceze në luftën e saj për pavarësi nga Britania.

Ndër të tjera bëhet e ditur se do të mbahen aktivitetet e tjera lidhur me 240-vjetorin e Betejës Chesapeake.

Presidenti amerikan Joe Biden në një konferencë për media nëpërmjet internetit me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe kryeministrin australian Scott Morrison, njoftoi krijimin e një bashkëpunimi të ri të sigurisë të emërtuar “AUKUS” dhe se në kuadër të kësaj SHBA-ja dhe Britania do të ndajnë me Australinë teknologjinë e nëndetëseve me energji bërthamore.

Me vendosjen në funksion të marrëveshjes AUKUS, pezullohet Programi për Nëndetësen Sulmuese të cilën Australia e zhvillonte me Francën që nga viti 2015 me një kosto fillimisht prej 43 miliardë dollarë duke arritur më pas në 90 miliardë dollarë dhe e cila ka shkaktuar debate në vend.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian dhe ministrja e Mbrojtjes, Florence Parly deklaruan se pezullimi nga qeveria e Australisë i programit të nëndetëseve me Francën dhe vendimi lidhur me marrëveshjen për të ndërtuar nëndetëse bërthamore me SHBA-në është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit.